Elvis Shkambi dhe Astrit Kalaja
TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore ndaj autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhurme 6 tetor. Autori Elvis Shkambi, 30-vjeç, ka rrëfyer ngjarjen që nga momenti i zhvillimit të seancës e deri në përfundimin, duke qëlluar me armë drejt Kalasë.
Sipas dosjes të publikuar nga Top Channel, Shkambi ka rrëfyer se aktin e rëndë e ka ndërmarrë pas shpalljes së vendimit për procesin gjyqësor të pronësisë. 30-vjeçari ëshë shprehur se në atë moment, ka menduar se është bërë padrejtësi nga ana e gjyqtarit.
Në dëshminë e tij ka deklaruar se kur ka shkrepur armën drejt gjyqtarit, ndaj tij ka ndjerë urrejtje të madhe për vendimin që dha duke e konsideruar të padrejtë, por shton se pasi ka logjikuar ndaj asaj që bëri, nuk ka qëlluar më ndaj gjyqtarit, ‘duke e lënë të gjallë në sallë’.
Menjëherë pas të shtënave Shkambi është larguar nga salla, ndërsa ka deklaruar se armën ia ka dorëzuar punonjësit të sigurisë në këtë gjykatë, por pa i thënë se kishte kryer vrasjen. Më pas personi tjetër me të cilin ka kontaktuar ka qenë xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, të cilit i ka dhënë çelësat e makinës së tij xhaxhait, dhe i ka kërkuar që të largohet pasi nuk kishte lidhje me veprimin e tij.
30-vjeçari ka rrëfyer se xhaxhoi ka qenë në krah të tij kur ka kryer vrasjen dhe ka mbetur i shokur, ndërsa i ka thënë: “Na fike”. Autori ka deklaruar se xhaxhai i tij, Gjoni, i cili është arrestuar për bashkëpunim, nuk e ka përkrahur apo ndihmuar në vrasjen që kreu. Sipas Shkambit, as roja e sigurisë, Banush Koxhaj nuk e ka ndihmuar.
Pasi kreu krimin, Elvisi ka qëndruar në ambientet e jashtme të Gjykatës së Apelit dhe nuk ka pranuar të largohet, dhe kur efektivët e policisë kanë mbërritur ai i ka thirrur dhe u ka thënë se ka kryer vrasje. Sa i përket armës me të cilën kreu krimin, ai ka deklaruar se posedonte pa leje që prej dhjetë vitesh, por pa e përdorur asnjëherë më parë, dhe se e mbante për vetëmbrojtje.
Gjithashtu, gjatë paraqitjes në Gjykatë ku u njoh me masën e sigurisë, Shkambi shprehu pendesë para autoriteteve dhe se nuk dëshironte që çështja të shkonte kështu, por se e gjitha ka ndodhur nga një çast tronditjeje.
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit, Astrit Kalaja. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë së Tiranës, që kishte kërkuar masën e arrestit me burg për Elvis dhe Gjon Shkambin, autorin dhe xhaxhanë e tij, si dhe për rojen e sigurisë së gjykatës Banush Koxhaj.
Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), 30-vjeçari Elvis Shkambi do të përballet me tre akuza: “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”.
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks./ZËRI
