Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar ditën e sotme kreun e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu.
Në fjalën e saj, Balluku u shpreh se Aliu është profesionist dhe me karrierë të gjatë në drejtim.
“Porti i Durrësit do të vazhdojë të jetë motori ekonomik i Shqipërisë, i cili nuk prodhon vetëm punësim, por një ekonomi zinxhir dhe drejtimi duhet të jetë në duar të mira dhe profesionale. Stafetën do t’ia lë një tjetër kolegu të mirë, që unë e kam njohur në punë vite më parë, kur kemi qenë kolegë të dy qeverive, Liburn Aliu, arkitekt me profesion, me një karrierë të gjatë në politikë me dy mandate deputeti, katër vite ministër dhe një koleg i mirë, i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si një treg të përbashkët”, tha Balluku.
Më tej ministrja foli edhe për portin e ri të Porto Romanos ndërsa tha se ndërtimi i tij do të nisë në 2026 dhe duhet të jetë dorëzuar brenda 3 vitesh.
“Kemi nisur prej kohësh një plan zhvillimi të një porti të ri në afërsi të Durrësit, duke qenë se është pikë referimi për të gjithë rajonin.Me një punë shumë të detajuar dhe me mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha, MIE ka arritur të ketë një dokument të jashtëzakonshëm që parashikon të gjithë hapat e ndërtimit të këtij porti të ri në Porto Romano.Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë kërkuar të jenë pjesë këtij projekti, për të bërë të mundur krijimin e një lidhjeje me dy porte të thata, një në Shkup, dhe një në zonën e Prishtinës. E thënë kjo, procedura ndërkombëtare ka qenë transparente, ka patur disa faza dhe sot kemi arritur në fazën e fundit të projektit për ndërtimin e këtij porti. Interesi ka qenë shumë i lartë, në 31 janar do kemi fituesin e garës për ndërtimin e portit të Durrësit, i dalë nga një garë ndërkombëtare.Brenda 2026 do të nisim me ndërtimin e ri të Porto Romanos, dhe për 3 vite ky port duhet të jetë I dorëzuar. Një port që do i shërbejë RMV dhe Kosovës gjithashtu”, u shpreh Balluku.
