Dy vëllezër, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, janë arrestuar në Durrës pasi akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës.
Dy vëllezërit, Ergis dhe Arbin Hoxha, 32 dhe 34-vjeç akuzohen nga gjykata e Breshias për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat e nevojshme për të bërë të mundur ekstradimin e të rinjve.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, dhe i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u finalizua operacioni policor i koduar “Brothers”, për kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasve: E. H., 32 vjeç dhe A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Manzë”, njoftoi policia.
“Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Breshias, Itali, i akuzon për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Interpol Tirana do të kryejë procedurat në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e 2 vëllezërve, në Itali”, shtuan të njëjtat burime.
Në kërkim nga Italia si pjesë e një grup që trafikonte drogë, arrestohen dy vëllezër në Durrës
