“A nuk ështe e tmerrshme…”, Rama godet indirekt Kurtin: Thaçi do mbetet në histori, të tjerëve do iu harrohet nami e nishani

edi rama dhe hashim thaci

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka quajtur të tmerrshme, padrejtësinë që sipas tij po i bëhet nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçit, dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. Rama shprehet se Gjykata Speciale është e dalë nga shinat, dhe e ka humbur qëllimin për të cilin u ngrit. Mes rreshtave, Rama godet dhe të gjithë ata që Thaçin e trajtojnë si armik politik, dhe që sipas tij do t’ju mbetet vetëm njolla e turpit të historisë.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!
Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.

Pak ditë më parë në Tiranë u mbajt një protestë për lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët mbahen në paraburgim në Hagë, që prej Nëntorit të vitit 2020, ndërsa procesi i tyre është drejt fundit. Gjatë atyre ditëve nuk munguan akuzat për politizimin e protestës, ndërsa vetë Rama vendosi që të mos ishte i pranishëm në shesh, për të shmangur polemikat e mëtejshme. /ZËRI