‘Nga Di Pietro te Berlusconi: historia e një ‘inkuizioni’ kundër së djathtës italiane’

Nga Tritan Shehu 

“Mani Pulite” dhe Di Pietro në Itali, ishin një komplot drejtësie për të goditur të djathtën, antikomunistët, Demokracinë Kristiane.

Në një kohë që ra Muri i Berlinit, në Itali u vu në bankën e të akuzuarve e djathta, Demokracia Kristiane, partia e De Gasperit, Andreotit.

U goditën ata që krijuan Europën e Bashkuar, NATO-n, ata që ishin në vijë të parë të kolapsit komunist.

U shfrytëzuan qëllimshëm edhe probleme reale qeverisjeje për të hedhur pluhur mbi ata që shpëtuan për dekada Italinë prej diktatit të Moskës.

Ndërsa komunistëve, atyre që konsideronin atdhe Moskën, që merrnin valixhet plot prej andej në shkëmbim të informacioneve e shërbimeve speciale, nuk u ndodhi asgjë.

E gjithë ajo ngrehinë “Mani Pulite” ishte një skenar i tillë.

Di Pietro, si një “inkuizitor”, realizoi një “inkuizicion” ndaj demokracisë së vërtetë, ndaj DC-së.

Fatmirësisht, shumë shpejt në skenën politike italiane hyri Berlusconi, që ndaloi atë revansh komunist dhe bëri të dështojë ai komplot i vërtetë ndaj atij vendi demokratik, thelbësor për BE dhe NATO.

Si vazhdim i asaj historie, më tej edhe Berlusconi vetë u bë viktimë e po të njëjtit “inkuizicion”; u tentua të baltosej disa herë me një urrejtje patologjike nga të njëjtët mekanizma, për shërbimet e mëdha që i bëri Italisë dhe Europës.

Derisa, para pak ditësh, Gjykata e Lartë e Italisë, pas një kalvari shumë të gjatë, e shpalli të pafajshëm.

Në fakt, po këto mekanizma po veprojnë edhe në vendin tonë, si një instrument i Rilindjes, në vazhdim të keqpërdorjes politike të drejtësisë nga të majtat radikale.

Reflektim ky i lindur nga debati i sotëm në Kuvend, si dhe për ata që ngatërrojnë këtë të vërtetë historike të Italisë.