Erion Veliaj
TIRANË- Pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme, pritet të mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për ish-kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë akuzat që SPAK ka ngritur ndaj Veliajt, i cili prej 10 shkurtit ndodhet pas hekurave.
Seanca e shkuar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve mbi ndalimin e avokatit Ulian Barjami, pas përplasjes me prokurorin në sallën e gjyqit, ngjarje e ndodhur në Gjykatën e Elbasanit.
Të enjten e 2 tetorit Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkoi zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë. Ndërkohë që një zhvillim tjetër gjatë kësaj jave sa i takon Veliajt, do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi shkarkimin e tij, që pritet të jepet në datën 31 Tetor. Deri në dhënien e këtij vendimi, zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë, u shtynë, për shkak se Kushtetuesja rrëzoi dekretin e presidentit, për mbajtjen e tyre në datën 9 Nëntor.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.
Ndërkohë Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. ZËRI
