“Po Veliaj? Hetimet vijojnë”/ Dumani ‘ftesë’ Ahmetajt: I mirëpritur nëse do të bashkëpunosh me SPAK

altin dumani

TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani, është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me hetimet për inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Lidhur me pyetjen për ish-ministrin Arben Ahmetaj, Dumani ‘e ftoi’ në bashkëpunim, teksa u shpreh se nëse është i mirëpritur nëse dëshiron të bashkëpunojë me drejtësinë. Ndërsa, sa i përket Erion Veliajt, se përse nuk është marrë ende si i pandehur, Dumani deklaroi se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe vijojnë akoma për inceneratorin e Tiranës.
“SPAK ka hetuar, në kuadër të këtyre hetimeve, 71 persona të të gjitha niveleve; disa janë në vendime të formës penale të prerë, disa janë në proces hetimi. Lidhur me pyetjen që bëhet për ta trajtuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, këto dy procedime penale i kanë kaluar të gjitha fazat e hetimit gjyqësor dhe i kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Lidhur me pyetjen pse nuk e kam marrë ende, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar, por vazhdojnë akoma. Lidhur me pyetjen për ish-ministrin Arben Ahmetaj, deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti. Për ne ai është një person në kërkim në lidhje me inceneratorët. Në rast se një person dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur”, tha Dumani.