Qeveria turke njoftoi se po monitoron nga afër zhvillimet në Mal të Zi

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjeve të ndodhura fundjavën e kaluar në Podgoricë, duke bërë të ditur se po monitoron nga afër zhvillimet që përfshijnë shtetas turq, në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet malazeze.

“Fundjavën e kaluar ndodhën disa gjëra të pakëndshme që shqetësuan qytetarët tanë në Mal të Zi. Menjëherë pas incidenteve, u vendos kontakti me autoritetet malazeze dhe u morën masat e nevojshme për të siguruar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme në Ankara. Institucioni turk thekson se zhvillimet po ndiqen me “vëmendjen maksimale” dhe në “koordinim të ngushtë” me autoritetet e Podgoricës.

Ndërkohë, Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë ka hapur një çështje hetimore për incidentet e ndodhura më 26 tetor në lagjen Zabjelo, ku një grup qytetarësh brohoriti slogane raciste “Vrit, vrit, vrit turkun”. Gjatë ngjarjes, dy automjete dhe një ndërtesë në pronësi të qytetarëve turq u dëmtuan.

Sipas autoriteteve malazeze, po vlerësohet nëse veprimet përmbajnë elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore apo fetare. Një ditë më parë, policia kishte arrestuar një shtetas azerbajxhanas 31-vjeçar dhe një shtetas turk 54-vjeçar, të dyshuar për dhunë ndaj një personi në të njëjtën zonë, ngjarje që mendohet se ka nxitur reagimet e mëvonshme.

Policia e Podgoricës njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar disa incidente që përfshijnë shtetas turq që jetojnë përkohësisht në qytet dhe se rreth 45 persona janë ndaluar për verifikime. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, në Mal të Zi jetojnë rreth 13,300 shtetas turq.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, deklaroi se qeveria do të mblidhet sot për të miratuar një vendim urgjent që parashikon pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për qytetarët turq, si masë e përkohshme për menaxhimin e situatës së sigurisë.