Olsian Çela
TIRANË-Kryeprokurori Olsian Çela paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Çela deklaroi se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61,167 materiale, duke theksuar se ka një rritje prej 10.5% krahasuar me një vit më parë. Kryeprokurori renditi edhe të dhënat statistikore sa i përket punës së bërë në vitin 2024, ku sipas shifrave rritjen më të madhe e kanë patur procedimet për pastrim parash.
Olsian Çela: Viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, e më tej intensifikimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport. Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.
-155 procedime penale të filluara kryesisht nga prokuroria (rritje 12% krahasuar me 2023).-251 procedime për pastrim parash, me rritje 59%.-Sekuestrime pasurish me vlerë mbi 48 milion euro.-1656 çështje për dhunë në familje, me rritje 18.6% krahasuar me 2023.-161 procedime për krime seksuale, me rritje 30%.-Rritje e rasteve të krimit kibernetik (381 procedime, +5%).
