I kapur me makinë të vjedhur dhe arsenal mallrash të grabitura, arrestohet 31-vjeçar shqiptar

Një ndjekje e rrezikshme në rrugët e Italisë përfundoi me arrestimin e një 31-vjeçari shqiptar, i cili po udhëtonte me një automjet të vjedhur në Zvicër.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 tetorit, kur Karabinierët e degës së Vareses u vënë në ndjekje të një Volkswagen Golf me targa zvicerane, e cila po lëvizte me shpejtësi dhe tentoi të shmangte kontrollin policor.

Gjatë ndjekjes, që përfshiu manovra të rrezikshme dhe kalime në drejtim të gabuar, i dyshuari goditi disa automjete që ndodheshin në semaforin e kuq pranë supermarketit “Tigros” në Besozzo.

Pas aksidentit, ai u përpoq të largohej në këmbë, por u kap menjëherë nga forcat e rendit, ndërsa një bashkëpunëtor i tij arriti të arratisej.

Në automjetin e braktisur, që rezultoi i vjedhur në Zvicër, Karabinierët gjetën mjete për thyerje, radio portative, telefona celularë, para të gatshme dhe sende të dyshuara si mallra të vjedhura.

Pas arrestimit, kontrollet u shtrinë edhe në banesën e 31-vjeçarit, ku u zbuluan bizhuteri ari, orë dore dhe dy pistoleta, të cilat dyshohet se janë përfituar nga grabitje të tjera të mëparshme.

I riu u arrestua dhe u dërgua në burgun e Vareses, në pritje të vendimit të Autoriteteve Gjyqësore. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbuluar origjinën e sendeve të sekuestruara dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale.