astrit kalaja-gjon dhe elvis shkembi
TIRANË-Sot do të shqyrtohet ankimimi i Gjon Shkambit, i akuzuar si bashkëpunëtor, për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Ankimimi për ndryshimin e masës së sigurisë do të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit në Tiranë, aty ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Po në të njëjtën seanca, apeli do të shqyrtojë edhe ankimimin e bërë nga Banush Goxhaj, punonjës sigurie në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, autori i krimit, Elvis Shkambi nuk ka ankimuar masën e “arrestit me burg pa afat”.
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit, Astrit Kalaja. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë së Tiranës, që kishte kërkuar masën e arrestit me burg për Elvis dhe Gjon Shkambin, autorin dhe xhaxhanë e tij, si dhe për rojen e sigurisë së gjykatës Banush Koxhaj.
Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), 30-vjeçari Elvis Shkambi do të përballet me tre akuza: “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje e armës”.
Sipas Prokurorisë, xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi dyshohet se kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër. Në të njëjtën kohë, Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit.
Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks./ZËRI
