Dy turistë suedezë, nënë e bir, janë raportuar të humbur këtë të diel në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Sipas burimeve zyrtare, bëhet fjalë për një grua 61-vjeçare dhe djalin e saj 23-vjeçar, të cilët ishin nisur në mëngjes për të eksploruar zonën malore.
Pas disa orësh ecje nëpër park dhe pyjet përreth, kontakti me ta është ndërprerë. Sipas informacioneve paraprake, turistët kanë dërguar një sinjal SOS, i cili është kapur nga autoritetet greke, për shkak të mungesës së mbulimit me sinjal telefonik në anën shqiptare të gadishullit të Karaburunit. Autoritetet greke kanë njoftuar menjëherë homologët shqiptarë.
Në terren janë angazhuar forcat e Policisë së Vlorës, Emergjencave Civile dhe specialistë të Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM), të cilët po zhvillojnë kërkime në disa drejtime. Përfshirë janë edhe banorë të zonës që njohin mirë terrenin.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se terreni i vështirë malor, errësira dhe moti i paqëndrueshëm po e vështirësojnë operacionin e kërkimit. Dyshohet se nëna dhe djali, pasi kanë përshkuar pyjet e Llogarasë, mund të jenë ngjitur drejt zonës së Karaburunit, ku edhe kanë humbur për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së valëve telefonike.
Forcat e kërkim-shpëtimit po vijojnë operacionin me intensitet për gjetjen e tyre.
