Presidenti palestinez Mahmoud Abbas shpall pasardhësin e mundshëm, në rast “vakance të postit”

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka lëshuar një dekret që përshkruan një plan trashëgimie “në rast vakance të postit”, njoftoi sot agjencia zyrtare palestineze lajmeve WAFA.
Sipas masës së re, zëvendësi i tij, Hussein al-Sheikh, do të marrë përkohësisht drejtimin e Autoritetit Palestinez, bëri të ditur agjencia.
Dekreti parashikon që al-Sheikh, 64 vjeç, të udhëheqë Autoritetin Palestinez deri në 90 ditë, nëse Abbas nuk është më në gjendje të ushtrojë detyrat e tij.
Gjatë atij afati do të mbahet një palë zgjedhje presidenciale. E njëjta procedurë do të zbatohet edhe në rast dorëheqjeje, ndonëse një hap i tillë nuk pritet nga Abbas.
Al-Sheikh, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit, u emërua zëvendëspresident më herët gjatë këtij viti, pasi posti u krijua në prill.
Abbas, 89 vjeç, pasoi themeluesin e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), Yasser Arafat, duke fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2005, të fundit të mbajtura në territoret palestineze.
Ai dhe lëvizja e tij Fatah konsiderohen më të moderuar krahasuar me grupin islamist Hamas, i cili mori me forcë kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007, duke përzënë Fatahun.
Autoriteti Palestinez, i udhëhequr nga Abbas, ushtron vetëqeverisje të kufizuar në disa zona të Bregut Perëndimor të pushtuar, por nuk ka kompetencë mbi vendimet ushtarake izraelite apo mbi zgjerimin e vendbanimeve hebraike, të cilat vazhdojnë nën qeverinë aktuale të Izraelit.