Rama: Ndryshim thelbësor i qasjes ndaj Shqipërisë në Gjermani

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në forumin prestigjioz të Dialogut Global të Berlinit si një moment dinjitoz dhe ambicioz për vendin. Në sezonin e pestë të podkastit “Flasim”,  në rubrikën “Shënimet e javës”,  ai ndau reflektime mbi përfaqësimin e Shqipërisë dhe ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar.
“Dje,  në forumin prestigjioz të Dialogut Global të Berlinit,  isha i ftuar bashkë me Diellën,  ministren tonë të Inteligjencës Artificiale,  e cila për herë të parë komunikoi ‘live’ me një gazetar,  moderatorin e mirënjohur gjerman Ali Asllan”,   tha Rama,  duke theksuar rolin e inovacionit dhe teknologjisë në imazhin e ri të Shqipërisë.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka ndodhur një ndryshim thelbësor i imazhit dhe i qasjes ndaj Shqipërisë në Gjermani, si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për të tejkaluar paragjykimet e së shkuarës. “Ky ndryshim është një frut me shije të veçantë i përpjekjeve tona,  sepse deri jo shumë vite më parë,  në atë vend, shiheshim ende përmes filtrave të paragjykimeve më shkurajuese”,  tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek takimi vjetor i Procesit të Berlinit,  i zhvilluar këtë javë në Londër,  ku Shqipëria u përfaqësua në nivel të lartë. Ai vlerësoi praninë e Kryeministrit britanik Keir Starmer dhe Kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili shprehu qartë mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë,  Malit të Zi dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Forumi Global Dialogue (BGD),  ku Rama ishte i ftuar si njëri ndër dy folësit e sesionit përmbyllës,  së bashku me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen,  kishte në fokus sfidat globale të ekonomisë,  klimës,  teknologjisë dhe qeverisjes.