Vetëm disa orë reshje shiu kanë mjaftuar që Bashkia e Vaut të Dejës të përballet me përmbytje, ndërsa ligjvënësi demokrat Luçiano Boçi ka reaguar ashpër ndaj situatës, duke akuzuar pushtetin lokal dhe atë qendror për papërgjegjshmëri dhe keqadministrim.
Sipas Boçit, përmbytjet në zonën e Glinës, ku qindra banesa janë nën ujë dhe jeta e banorëve është rrezikuar, nuk janë pasojë e “sulmit të natyrës”, por e mungesës së masave mbrojtëse dhe investimeve të domosdoshme.
“Përroi i Glinës ka përmbytur qindra shtëpi dhe po rrezikon jetë njerëzish, jo sepse ‘natyra po sulmon’, por sepse nuk është marrë asnjë masë paraprake apo investuese për mbrojtje”, – shkruan Boçi në një postim në rrjetet sociale.
Deputeti demokrat thotë se kryebashkiaku Shkreli është justifikuar me faktin se projekti për argjinaturat nuk ka marrë miratimin e qeverisë prej pesë vitesh, ndërsa qeveria në anën tjetër ia hedh përgjegjësinë pushtetit lokal.
“Kryebashkiaku justifikohet se projekti është ndërhyrë në argjinaturat e tij dhe prej pesë vitesh nuk ka marrë dritë jeshile nga Rama. Ndërkohë, qeveria ia le topin bashkisë”, – shkruan Boçi.
Sipas tij, fondet e bashkisë janë shpërdoruar gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa tani situata e përmbytjeve i ka gjetur institucionet pa kapacitete për ndërhyrje emergjente.
“Ky pushtet lokal i shkriu fondet për fushatë dhe tani ka ngelur me sytë nga qielli. Korrupsioni dhe paaftësia po bien mbi qytetarët”, – thekson Boçi.
Deputeti i PD-së apelon për ndërhyrje të menjëhershme emergjente dhe kërkon që përgjegjësit, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, të mos fshihen pas justifikimeve.
