Foto ilustrim
FRANCE- Hetimet mbi vjedhjen spektakolare në Muzeun e Luvrit kanë njohur një zhvillim të rëndësishëm. Një javë pas grabitjes së tetë stolisjeve të fronit francez nga katër burra në muzeun më të vizituar në botë, dy të dyshuar që dyshohet se ishin pjesë e komandës janë arrestuar dhe ndaluar, të shtunën, më 25 tetor në mbrëmje.
Duke konfirmuar pjesërisht informacionet e publikuara nga disa media, përfshirë Paris Match dhe Le Parisien, prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, bëri të ditur të dielën në mëngjes se:
“Hetuesit e BRB [Brigada për Reprimimin e Banditizmit] kanë kryer arrestime gjatë mbrëmjes së së shtunës.”Sipas Le Monde, njëri prej të dyshuarve është me kombësi franceze, ndërsa tjetri ka dy kombësi: franceze dhe algjeriane.
Ky i fundit u arrestua rreth orës 22:00 nga BRB dhe Brigada e Kërkimit dhe Interventës (BRI) në Aeroportin Roissy, ndërsa po përgatitej të nisej me avion për në Algjeri. Hetuesit e BRB-së, që i kishin vëzhguar të dyshuarit për një kohë për të gjetur rrugën e grabitjes dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët, nxitën operacionet e tyre pas kësaj mundësie.
Muzeu i Luvrit u vodh 7 ditë më parë. Grabitësit vodhën një varëse, një spile, një diademë dhe bizhuteri të tjera të Napoleonit, të ekspozuara në vitrinat kushtuar monarkëve francezë. Sipas një burimi të brendshëm të Luvrit, të cituar nga Le Parisien, diamanti i famshëm “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është vjedhur./ZËRI
