Behgjet Pacolli dhe Ilir Kulla
TIRANE- Përplasja në distancë mes Ilir Kullës dhe Behgjet Pacollit në lidhje me përplasjen për aeroportin e Vlorës, ka vijuar edhe këtë fundjavë. Pasi Pacolli e quajti Kullën, një njeri që nuk ka respekt për bukën e ngrënë në shtëpinë e tij, ka ardhur reagimi dhe nga ky i fundit.
“Konakun dy herë ta kam shkelur me dikë tjetër, në hotel kam paguar çdo herë, hallet i ke nga ata që ta kanë përdorur avionin si taksi.”-shkruan Kulla në rrjete sociale.
Postimi ne FB
Por çfarë tha Kulla? I ftuar te Arjan çani në “Zonë e Lirë” në MCN TV, Kulla tha se për këtë çështje do të priten koka. Kulla u shpreh se ka shumë probleme ndërsa shtoi se kompania turke e përfshirë në aeroport ka qenë fiktive.
“Ka filluar që para 3 muajsh nga SPAK një hetim për aeroportin e Vlorës. Kur t’i futet SPAK zyrtarëve të nivelit të dytë e tretë dhe gjërave që kanë firmosur do të kenë probleme. Transferimet mes aksionerëve, nuk janë regjistruar në QKB. Janë letra private dhe nëpër noterë. Këta kanë detyrim, në bazë të kontratës së koncesionit me partnerin që është shteti shqiptar që është përfaqësuar nga qeveria. Se kush ka hedhur firmën do i zbardhë hetimet. Pacolli thotë do të shkoj dhe në arbitrazh. Për të operuar një aeroport, përveç pistës, ndërtesës ke nevojë për Drejtorinë e Aviacionit Civil dhe Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror që varen nga MIE. Nëse ata nuk japin autorizim, aeroporti nuk do të funksionojë kurrë. Nga kjo histori do të priten shumë koka sepse dëmi edhe në imazh, edhe në besueshmëri por edhe në financë është shumë i madh”, ka thënë Kulla.
Këto deklarata nervozuan Pacollin i cili i tha Kullës se ka përbuzur konakun ku ka ngrënë, duke deklaruar se kanë patur afrimitet në të shkuarën.
“Zotni Kulla,Mbrëmë, nga sa dëgjova, nuk paske lënë gjë pa thënë për mua. A të ka shkuar ndërmend, vallë, se ndoshta po e përbuz atë konak ku je ulur, e atë bukë që ke ngrënë (jo një herë të vetme)? Të kemi pritur dhe trajtuar gjithmonë, unë, vëllezërit e mi dhe stafi, si një njeri dinjitoz. Duket se, ndonjëherë, mikpritja paska kujtime më të shkurtra se darka vetë. Zoti na ruajt nga njerzit si ju!”-shkroi Pacolli dy ditë më parë. /ZËRI
