Reshje të dendura në Kukës, gurë dhe inerte në disa rrugë, vështirësohet qarkullimi në Rrugën e Kombit

Kukës

KUKËS- Reshje shiu me intensitet të lartë vijojnë prej disa orësh në qarkun e Kukësit, duke shkaktuar problematika në rrugët kryesore. Probleme janë raportuar në disa akse nacionale dhe rurale. Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Peshkopi, Bajram Curri–Valbonë, Kukës–Qafë Mali, ka prezencë gurësh dhe dherash.
Edhe Rruga e Kombit ka patur pasoja e motit të keq. Segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit u përfshi nga mjegull e dendur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Megjithëse ekipet e Bashkisë Kukës kanë ndërhyrë në pastrimin e rrugëve, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Përveç përmbytjeve dhe bllokimit të rrugëve, një tjetër problematikë është e ndërprejes së energjisë elektrike në disa lagje të qytetit dhe fshatra. Problematika janë shfaqur edhe në tokat bujqësore të banorëve në Nangë, Bicaj dhe Shtiqën. Vështirësi janë krijuar edhe në qytetin e Kukësit, ku janë formuar vende-vende pellgje me ujë, si pasojë e bllokimit të pusetave.
Por, Reshjet e shiut kanë dhënë ndikim pozitiv në liqenin e Fierzës, duke shtuar prurjet me mbi 250 metër kub ujë në sekordë gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, autoritetet po ndjekin nga afër situatën për të shmangur problematikat në qytet dhe njësitë administrative, ndërsa sipas parashikimeve, reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim./ZËRI