KQZ nuk e regjistroi, Gjergji Nika ankimon vendimin, KAS shqyrton sot kërkesën

Gjergji Nika

TIRANË- Anëtari i Këshillit Bashkiak të opozitës në Vlorë, Gjergji Nika ka ankimuar në KAS vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që nuk e regjistroi si kandidat në zgjedhjet e 9 nëntorit. Përmes një shkrese drejtuar KAS, Nika kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së dhe regjistrimin e tij si kandidat i pavarur. 
Ndërkohë që në mbledhjen e ditës së sotme, KQZ refuzoi kandidaturën e Nikës, duke argumentuar se duhet të ishte propozuar nga një Komitet Nismëtar dhe duhet të kishte respektuar procedurën. Sipas KQZ, nga shqyrtimi i dokumentacionit të depozituar rezulton se mungon regjistrimi i Komitetit Nismëtar, që do të përgatiste punën për regjistrimin për kandidat për kryetar të Bashkisë Vlorë.

Megjithatë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) do të zhvillojë sot, në orën 19:00, një seancë publike për shqyrtimin e kërkesës ankimore të depozituar nga Gjergj Nika, i cili nuk është regjistruar ende si kandidat për kryetar të Bashkisë Vlorë.
Nika u shkëput nga Partia Demokratike pak ditë më parë, duke u shpallur kandidat i pavarur. Sipas këshilltarit, Partia Demokratike ka nevojë të “çlirohet” nga individë groteskë, siç i cilëson ai, dhe se opozita nuk mund të tallet më me demokratët./ZËRI
Dokumenta bashkëngjitur