“Këneta e dëshpëruar”/ Rama thumbon opozitën: Zgjodhi një aktor që ka shkrirë gazit Kongresin e PS-së!

edi rama ne podcast

TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli shkurtimisht për zgjedhjet e 9 nëntorit në episodin e sotëm të podcastit “Flasim”, ku nuk la pa ironizuar edhe kandidatët e opozitës. Rama u ndal te kandidimi i aktorit të njohur, Florjan Binaj, për Bashkinë e Tiranës si kandidat i pavarur, i mbështetur nga opozita. Mbështetjen e opozitës për Binaj, kryeministri e quan lëvizje të dëshpëruar, ndërsa ironizoi kandidimin e aktorit, për të cilin tha se ka bërë dikur për të qeshur edhe në Kongresin e PS.
“Këneta është kaq e dëshpëruar sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati, gajasmë të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur që të gjithë pa dallim. Madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste e ka shkrirë gazit kur ka ardhur një herë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”, tha Rama.
Rama nuk la pa vlerësuar kandidaten për Tiranën, Ogerta Manastirliu dhe ajo për bashkinë e Vlorës, Bruna Mersini, duke i cilësuar fituese të padiskutueshme. 
“Dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë, që do të drejtohen nga dy gra. Ato janë padiskutim fituese.”, theksoi Rama.