Tirana pa rrugë e pa parkingje/ Me ndryshimin e Kodit Penal, qeveria propozon 1 vit burg për parkimin e dyfishtë

Kur trafiku në rrugët e Tiranës po rëndohet dhe parkimi është bërë pothuajse i pamundur, e shumë i kushtueshëm, qeveria propozon të fusë në Kod Penal dënimin me burg për “parkim të dyfishtë’

Më 23 tetor 2025, Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim publik pr/ligji për disa shtesa të Kodit Penal të vitit 1995, njëra prej të cilave është dhe propozimi që ‘parkimi i dyfishtë’ të konsiderohet vepër penale.Sipas propozimit, shoferët që parkojnë në rresht të dytë dhe pengojnë lëvizjen e mjeteve të emergjencës ose kalimin e këmbësorëve, mund të dënohen me gjobë ose deri në një vit burg.Këto ndryshime vijnë në një kohë kur numri i automjeteve në kryeqytet ka arritur 340 mijë, ose rreth një makinë për çdo dy banorë dhe situatë përkeqësohet nga ndërtimet pa fund, mungesa e rrugëve të gjera, e hapësirave për parkim, e transporti publik është i pamjaftueshëm. Çfarë ndodh deri tani? 
Shoferët që parkojnë në rresht të dytë gjobiten vetëm nëse policia i evidentonte. 

Në korrik 2025, kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, njoftoi se parkimi i dyfishtë mund të dënohej me gjobë ose burg deri në tre vjet. Ky lajm ngjalli reagime të qytetarëve, të cilët e konsideruan të ekzagjeruar dhe absurd, duke argumentuar se institucionet më parë duhet të krijojin më shumë hapësira parkimi dhe rrugë.

 Kodi Penal aktual dhe ndryshimet e propozuara
 Çfarë parashikon Kodi Penal aktualNeni 293 i Kodit Penal
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Ndryshimet që propozohen 

Në nenin 47 të pr/ligjit  ‘ DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7895, DATË 27.1.1995 “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”TËNDRYSHUAR  që ka dalë për konsultim publik propozohet që pas nenit 293 të shtohet neni 293/1. “Neni 293/1
Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë
“Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me 2 mjete me pedal, 2 ciklomotorë me dy rrota ose 2 motorë me dy rrota, që pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve e të autoambulancave apo shërbimeve të tjera të institucioneve, bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera ose shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”

“Ndryshimet e propozuara synojnë të adresojnë një sërë problematikash të evidentuara në praktikë: parkimi në rresht të dytë që pengon qarkullimin e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikësve, autoambulancave dhe shërbimeve të tjera publike; bllokimi i rrugëve dhe pengesat serioze për këmbësorët; si dhe efektet e drejtpërdrejta në rrezikimin e sigurisë publike” thuhet në relacionin bashkangjitur pr/ligjit..Çfarë ndodh sot në Tiranë?
Parkimi i dyfishtë reflekton një problem më të gjerë urbanistik, jo thjesht shkelje individuale. 
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në fund të vitit 2024, në Tiranë kishte 340 mijë automjete, rreth një për çdo dy banorë, dhe numri i makinave rritet edhe nga ato që hyjnë nga rrethet duke rënduar trafikun çdo ditë.Që nga viti 2018, kur filloi bumi i ndërtimeve në kryeqytet deri në 2024-n, Bashkia e Tiranës ka dhënë mesatarisht 1.25 milionë metra katror ndërtime për banesa në vit.  Në vitin 2024 u shënua një rekord i ri, me 1.8 milionë metra katror, ndërtime për rezidenca këto që do të lartësohen në vitet në vijim. Për të njëjtën periudhë (2018-2024,) Bashkia ka arkëtuar një shumë prej 500 milionë eurosh nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, raportoi Monitor në prill 2025.

Lulëzimit të ndërtimeve që ka shtuar dendësinë në Tiranë, trafikun, numrin e automjeteve në qarkullim, dhe zvogëlimit të hapësirave për parkim, pak i është përgjigjur përmirësimi i infrastrukturës, zgjerimi i rrugëve të brendshme të qytetit dhe sidomos transporti publik.

E para se tu krijohen rrugë dhe parkime të mjaftueshme qeveria po u ofron qytetarëve burgun.

Këtu Ndryshimi i Kodit Penal