“Nuk kam mbaruar ende”, Kamala Harris lë të hapur mundësinë për t’u rikthyer në garën presidenciale

Kamala Harris në intervistë për BBC

LONDËR- Ish-zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, gjatë një interviste për BBC është shprehur se mund të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit 2028, duke theksuar se karriera e sak politike nuk ka përfunduar ende. Ajo hodhi poshtë sondazhet që e rendisin atë si një kandidate të jashtme, duke treguar përvojën e saj të gjatë në politikë dhe përkushtimin ndaj shërbimit publik.
“Nëse do të kisha dëgjuar sondazhet, nuk do të kisha kandiduar për zyrën time të parë, as për të dytën, dhe sigurisht që nuk do të isha ulur këtu. Karriera ime ka qenë gjithmonë një jetë shërbimi. Pavarësisht çfarë vjen më pas, unë do të vazhdoj të jem aktive në jetën publike.”- tha ajo për BBC.
Harris nuk la pa përmendur dhe presidentin e SHBA Donald Trump. 
Ajo e kritikoi ashpër Trump, duke e quajtur “tiran” dhe duke e akuzuar se përdori institucionet federale si armë për të ndëshkuar kundërshtarët e tij politikë. Ajo theksoi se paralajmërimet e saj gjatë fushatës për sjelljen autoritare të Trump ishin “plotësisht të sakta”.
Deklaratat e saj kanë rikthyer diskutimet brenda Partisë Demokrate mbi mundësinë e një rikandidimi në vitin 2028. Analistët politikë vlerësojnë se Harris mbetet një figurë me ndikim në politikën amerikane dhe një zë i fortë për barazinë dhe drejtësinë.
Harris aktualisht po zhvillon një turne ndërkombëtar për të promovuar librin e saj “107 Days”, ku tregon përvojën e saj gjatë garës presidenciale të vitit 2024, e cila nisi vetëm pasi Biden u tërhoq nga gara./ZËRI