Pas 18 vitesh përndjekje dhe gati 2 vitesh burg, drejtësia italiane i ka dhënë fund kalvarit të pafund të 56-vjeçarit shqiptar Leom Komnela, i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Salernos, që urdhëroi edhe lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia.
Komnela ishte arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekstraduar në Shqipëri në mars të vitit 2024, me emrin Mnela Leonard, një rast që në atë kohë u cilësua si ‘sukses i policisë shqiptare’ nga ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla.Megjithatë, sipas vendimit të fundit të gjykatës italiane, ishin pikërisht autoritetet shqiptare që krijuan konfuzionin, duke ngatërruar identitetin e Komnelës me një tjetër person të dënuar.
Pas më shumë se 16 muajsh burgimi në Shqipëri, Komnela u dërgua në Itali, ku besohej se ishte personi i dënuar Leonard Mnela, i akuzuar për bashkëpunim me organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, trafik droge dhe shkelje të ligjit për armët.Por, siç rezulton tashmë nga hetimet dhe dokumentet gjyqësore, Leom Komnela nuk ishte i njëjti person, duke e bërë mbajtjen e tij në burg të pajustifikueshme.
Avokatja e tij, Ilenja Mehilli, e cila ka ndjekur çështjen për vite me radhë, deklaroi se iu deshën 18 vite për të bindur drejtësinë që klienti i saj nuk ishte Mnela.Komnela kishte emigruar në SHBA në vitin 2003, është i martuar që nga 1996 dhe baba i dy djemve. Ai është gjithashtu autor librash, me romane të botuara në Shqipëri dhe SHBA, madje edhe në gjuhën spanjolle.
Gjykata e Apelit të Salernos i ka kërkuar prokurorisë të hetojë shkaqet e ngatërrimit dhe përgjegjësitë e autoriteteve, ndërsa për 56-vjeçarin shqiptar, vendimi i fundit shënon fundin e një tragjedie njerëzore që zgjati gati dy dekada.
Gjykata italiane shpall të pafajshëm shqiptarin e ekstraduar pas 18 vitesh
