mbledhja e grupit të PD
TIRANË-Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u mblodh për të diskutuar mbi sjelljen që do të kenë në Kuvend në dy seancat e javës që vjen, të hënën dhe të enjten. Fokusi ka qenë te Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi theksoi se do të votojnë për këto dy komisione vetëm nëse i referohen ndryshimeve të kërkuara nga opozita.
Gazment Bardhi: Fillojmë me rendin e ditës. Siç ju kam njoftuar ka seancë të hënën dhe të enjten këtë javë. Në nisje të seancës janë për votim dy vendimet për Komisionet e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale. Administrata e Kuvendit sapo më ka dërguar tekstin e rishikuar për të dyja komisionet, ku shoh se janë reflektuar të gjitha amendamentet tona të dorëzuara javën e shkuar. Komisionet do jenë me barazi, bashkëkryetar dhe vendime konsensuale. Do kërkohet edhe ekspertiza e OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës dhe Komisionin e Venecias. Nëse mazhoranca i qëndron versionit të ripunuar nga administrata e Kuvendit, ne votojmë Pro. Ndërkohe të hënën ka raportimin 5 institucionet e drejtësisë. Fillojmë me Prokurorin e Përgjithshëm, SPAK, ILD, KLGJ dhe KLP. Rezolutat e mazhorancës nuk i votojmë, janë të një anëshme. Ndërkohe deputetët do të bëjnë pyetje, dhe më pas kemi kohën për diskutime nga 2 orë e 30 min për çdo institucion. Edhe në këtë seancë ata do të vazhdojnë me provokimin kundër Rregullores për të mos na lejuar ti prezantojmë pyetjet, siç vepruan seancën e kaluar. Të ndalemi këtu fillimisht për të diskutuar sesi duhet të veprojmë. Për mua është e papranueshme që ne të nënshtrohemi ndaj sjelljes së tyre, por dua të dëgjoj mendimin e grupit.
Kreu i PD Sali Berisha kritikoi opozitarët, duke u shprehur se mënyra se si po sillen deputetët e PD, po dërgon mesazhin e gabuar tek votuesit. Sipas tij nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç reagimit dhe demokratët nuk duhet të nënshtrohen.
Sali Berisha: Secili prej nesh ka karakterin dhe emocionin e tij, por një gjë duhet të bashkojë secilin opozitar: Respekti për Rregulloren e Kuvendit. Në 35 vite deputetët kanë prezantuar pyetjet. Precedenti parlamentar është ligj dhe nuk mund të ndryshohet sipas qejfit nga krimineli Taulant Balla. Ushtari i bandave që na udhëzon ne si opozitë se si duhet të sillemi. Kush është ai kriminel të na mohojë ne të drejtat që opozita i ka fituar në 35 vjet. Jo zotërinj deputetë, rrugë tjetër përveç reagimit ne nuk kemi. Kush thotë të nënshtrohemi presionit të kriminelëve në qeveri, që ata mbyllkan seancën pa lejuar debat, i jep mesazhin më të gabuar votuesve tanë. Kurrë nuk mund të pranojë opozita nënshtrimin, ndryshe kot që shkojmë në Kuvend. Asgjë më shumë sesa na njeh rregullorja nuk kemi kërkuar, kurrë asnjeherë. Por ato që na jep rregullorja ne nuk i lëshojmë. Janë pjesë e misiomit tonë. Po si mund të ngrihet një kukull Kryetar Kuvendi dhe ti përgjigjet çdo kërkesë perverse të një krimineli si Taulant Balla.
Nga ana tjetër Flamur Noka ka shprehur kritika për veshjet e shtrenjta të kolegëve deputetë, duke thënë se kush vjen në Kuvend me kostume 5 mijë euro apo kollare 2 mijë. Sipas tij veshja nuk ka lidhje me opozitarizmin.
Flamur Noka: Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që ne nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi dhe Taulant Balla një gjë ndryshe tani. Ne jemi ne Kuvend për betejë, jo për nënshtrim. Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro, dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa janë të drejtat tona. Të drejtat tona do ti mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, dëshiron të nënshtrohet, të vazhdojë por kjo s’ka asnjë lidhje me opozitarizmin.
Edhe Klevis Balliu u shpreh se nuk duhet të lejojnë mazhorancën t’i provokojë.
Klevis Balliu: Mendoj që nuk duhet ta lejojmë që ata të na heqin të drejtat që na njeh rregullorja. Kush është Taulant Balla të na tregojë ne sesi duhet të flasim dhe se cfarë duhet të pyesim. Pyetjet nuk lexohen, prezantohen për publikun dhe atë e bën deputeti. Në çdo seancë sajojnë një provokim të ri. Nëse e leshojmë tani bëhemi fasadë në Kuvend, dhe Edi Rama këtë don një opozitë fasadë në Kuvend.
Ndërkohë Baçi këshilloi që të jenë më të kujdesshëm dhe më pak emocionalë.
Luan Baçi: Edhe unë nuk jam për nënshtrim, por duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet të jemi më pak emocional.
Ndryshe mendon Këlliçi i cili rekomandoi në mbledhje se duhet ruajtur një balancë mes reagimit dhe nevojës për të folur.
Belind Këlliçi: Unë mendoj se duhet të ruajmë një balancë mes reagimit dhe nevojës për të folur. Edhe unë nuk jam që të nënshtrohemi, por të gjejmë një zgjidhje sesi arrihet kjo pa humbur mundësinë për të folur.