SYRI TV/ Lagjja ‘24 maji’ në Vlorë e harruar nga bashkia, banorët: Rruga me pellgje uji dhe baltë…

Qytetarët e Vlorës po hasin çdo ditë vështirësi për të kaluar në rrugët e lagjeve pasi thuajse në të gjitha këto lagje ma mungesë të theksuar të infrastrukturës. Në lagjen 24 maji të qytetit bregdetar janë qindra banorë që ankohen për rrugët të cilat janë kthyer në pellgje të mbushura me ujë. Banorët thonë se duhet të veshin çizme për të dalë nga banesa dhe për të shkuar në punët e tyre.

Syri TV

Rrugët “Prenjo Petoshati” dhe “Enver Jaho” në lagjen “24 Maji” të Vlorës, prej vitesh nuk janë asfaltuar, duke ia vështirësuar jetesën banorëve që jetojnë në këtë lagje.

Në ditët me shi, gropat mbushen me ujë dhe balta mbulon çdo hapësirë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve dhe kalimin e këmbësorëve. Shpeshherë banorët duhet të veshin çizme për të kaluar rrugën nga banesat e tyre.

Në lagjen 24 maji të qytetit bregdetar mungon plotësisht edhe ndriçimi, ndërsa banorët detyrohen të ecin me dritën e telefonit gjatë natës, ku më të prekurit nga ky fenomen mbeten fëmijët, të cilët çdo mëngjes dhe mbrëmje duhet të kalojnë mes pellgjeve për të kthyer nga shkolla.

Banorët shprehen se janë ankuar disa herë në Bashkinë e Vlorës, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e rrugëve, të cilat janë e vetmja lidhje me pjesën tjetër të lagjes.

Ndonëse premtimet kanë qenë të vazhdueshme në kohë zgjedhje, lagjja “24 Maji” mbetet e pa ndryshuar ku këto premtime nuk u mbajtën kurrë nga krerët e bashkive që marrin votat në këtë lagje.