‘Çokollatë dhe reçel i helmuar’, presidenti i Ekuadorit: Tentuan të më vrisnin për herë të tretë

Daniel Noboa

EKUADOR-Presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa ka deklaruar se kanë tentuar ta vrasin sërish. Ai ka shpëtuar nga tre tentativa për vrasje brenda vetëm një muaji, me sulmin e fundit që, sipas tij, ishte me çokollatë dhe reçel të helmuar.
Gjatë një interviste për CNN, Noboa ka rrëfyer se një person ende i pa identifikuar tentoi ta helmonte me çokollatë dhe një reçel të mbushur me kimikate, të cilat i ishin dhuruar në një aktivitet publik. Dhuratat përmbanin “koncentrate shumë të larta” të tre kimikateve të ndryshme, gjë që sipas tij ishte pothuajse e pamundur të ndodhte në mënyrë natyrale, përveçse nëse ishin helmuar.
Më herët këtë muaj, qeveria tha se automjeti i Noboas mbante shenja plumbash pasi autokolona e tij u sulmua nga një grup protestuesish, të zemëruar për rritjen e çmimeve të karburantit. 
Presidenti, i cili është trashëgimtar i një prej perandorive më të mëdha të bananeve në Ekuador, është futur në shënjestër të grupeve kriminale për shkak të politikave të tij të forta kundër narkotrafikut dhe kriminalitetit, si dhe për vendimet e tij polemike mbi subvencionet e naftës dhe reformën e institucioneve shtetërore.
Ekuadori, dikur një nga vendet më të sigurta të Amerikës Latine, është bërë një qendër kryesore tranziti e kokainës midis prodhuesve kryesorë Kolumbisë dhe Perusë, dhe konsumatorëve në të gjithë botën. Shkalla e vrasjeve është rritur ndjeshëm, ndërsa shpërthimet me bomba në makina, atentatet dhe masakrat në burgje janë bërë rutinë./ZËRI