Ervis Martinaj
TIRANË- Teksa kanë kaluar më shumë se tre vite, fati i Ervis Martinajt ende nuk dihet. Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar në emisionin “Të Paekspozuarit” se një personazh i botës së krimit, ka dashur të marrë statusin e të penduarit të drejtësisë me pretendimin se di për fatin e Ervis Martinajt, ish-mbretit të lojërave të fatit. Por autoritetet nuk e kanë pranuar kërkesën, dhe rrjedhimisht dëshmia e tij nuk është marrë në konsideratë.
Ajo theksoi se Prokuroria e Lezhës, që ka në dorë dosjen nën drejtimin e Arben Nikës, nuk ka bërë përparime konkrete gjatë tre viteve të fundit. Hetimet janë kufizuar në marrjen e pamjeve filmike dhe pyetjen e personave që kishin dijeni për rastin, përfshirë edhe vajzën dhe policin që e shoqëronin Martinajn ditën e fundit para zhdukjes.
“Prokuroria e Lezhës, dosjen e ka drejtuesi Arben Nika. E vetmja gjë që është bërë në këto tre vite, përveç marrjes së kamerave dhe pyetja e personave që kanë patur dijeni, ka hetim të çelur zyrtar, dosja është në prokurori, është pyetur vajza që e shoqëronte, është dënuar edhe polici që e shoqëronte, por dosja është në gjendje të fjetur. As nuk është pezulluar dhe as nuk është kthyer. Prokuroria mund ta riaktivizojë me hetime të thelluara, nëse ka informacione. Fakti që Martinaj në këto tre vite nuk ka asnjë sinjal, më bën të dyshoj që mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë. Rasti i tij nuk është i thjeshtë, për shkak të personalitetit që kishte, përplasjeve të forta në botën e krimit dhe përplasje me mazhorancën përpara se të zhdukej. Ishte njeri i lojrave të fatit e me rradhë. Nuk ka të dhënë tjetër. Në informacionet që kam disponuar, ka patur tentativë të një personi, që mund të konsiderohet si njeri i rëndësishëm i krimit, që ka patur tratativë për të marrë statusin e të penduarit, nuk i është dhënë. Nuk di të them pse nuk i është dhënë statusi”, deklaroi Lala.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Po ashtu ai ka qenë i përfshirë edhe në dosjen Metamorfoza, arrestimet e të cilës u kryen pas zhdukjes së tij. Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, ka kërkuar zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit. Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite./ZËRI
