SYRI TV/ SPAK mbyll hetimet për Kristjan Shkrelin, dosja e kryebashkiakut kalon në gjykatë

SPAK mbyll hetimet dhe çon për gjykim për krime zgjedhore kryebashkiakun socialist të Vaut të Djeës Kristian Shkreli. Teksa ndaj tij nisën hetimet pas vërejtjes që i bëri kryeministri Rama se po luan me dy porta, SPAK tha se faktoi që Shkreli i socialistëve blinte vota për PSD-në e Tom Doshit.

Syri TV

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun socialist të Vaut te Dejës, Kristjan Shkreli dhe ka bërë kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim. Shkreli u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK pak ditë më parë nën dyshimin se bleu vota për Partinë Socialdemokrate. Atij iu komunikua akuza “korrupsion në zgjedhje”. Kërkesa e SPAK lidhur me kalimin apo jo të dosjes në proces gjyqësor do shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 majit, Kristjan Shkreli u evidentua duke bërë fushatë për Partinë Social Demokrate të Tom Doshit në qarkun e Shkodrës. Ndonëse drejtonte bashkinë si i zgjedhur nga Partia Socialiste, Shkreli dyshohet se ke kryer edhe kontakte e veprime konkrete duke blerë vota për PSD-në e Doshit. Ky i fundit u paraqit këtë javë në SPAK, por nuk preferoi të komentonte për çfarë çështje ju morën deklarime. Kristian Shkreli pati një vërejtje që ngjalli mjaft interpretime me kryeministrin Rama, teksa ky I fundit e akuzoi se po luante me dy porta, dhe menjëherë pas kësaj përballjeje, ndaj tij nisi hetimi.

Njoftimi i SPAK: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 23.10.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal nr. 49/1, të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i vitit 2025), në ngarkim të të pandehurit Kristian Shkreli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë. 

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.