Hunter Biden u xhindos keqas me ish-presidentin Barack Obama kur ky i fundit e shoqëroi ish-presidentin Joe Biden jashtë skene gjatë një aktiviteti për mbledhje fondesh në vitin 2024, duke thënë se “e dinte që kjo do të bëhej meme.”
Hunter Biden e ka rrëfyer zemërimin e tij për këtë episod në një nga intervistat që i ka dhënë Johnathan Karl të ABC-së për librin e këtij të fundit, me titullin “Hakmarrja: Donald Trump dhe fushata që ndryshoi Amerikën”.
Karl zbuloi se reagimi i Hunter-it ndaj atij momenti që u bë viral ishte ai i një djali tepër të zhgënjyer nga mënyra se si publiku do ta perceptonte imazhin e Obamës duke ndihmuar Joe Biden-in, një kandidat presidencial që tashmë ishte nën lupë për shkak të moshës.
“Për pak u hodha në skenë dhe i thashë, ‘Mos e bëj kurrë më të atë gjë me presidentin e Shteteve të Bashkuara. Kurrë,’” i tha Hunter Biden Karlit.
“E dija që do të bëhej një meme,” shtoi ai. “Kjo më zemëroi jashtë mase, jashtëzakonisht shumë.”
Eventi për mbledhje fondesh i qershorit 2024, i mbajtur në Hollywood, mblodhi 28 milionë dollarë për fushatën e rizgjedhjes së Joe Biden-it. Kjo mbledhje rekord fondesh u zhvillua pak më shumë se një javë para debatit famëkeq të ish-presidentit, i cili u bë një nga faktorët kryesorë që çuan në tërheqjen e tij nga gara presidenciale e vitit 2024 dhe kandidimin e ish-zv/presidentes Kamala Harris kundër presidentit Donald Trump.
Libri i Karlit është më i fundit ndër disa rrëfime të profilit të lartë që janë publikuar javët e fundit dhe që detajojnë zhvillimet e brendshme të fushatës. Në shtator, Harris publikoi kujtimet e saj për fushatën me titull “107 Ditë”, ku e përshkroi vendimin e Joe Biden-it për të kandiduar për rizgjedhje si një akt “papërgjegjshmërie.” Libri i Karlit pritet të dalë në treg me 28 tetor. / Washington Examiner – Syri.net
