pamje-disa segmente
TIRANË- Shqipëria është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të fundit. Erë e fortë dhe reshje shiu kanë vazhduar përgjatë natës deri në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar probleme në disa rrugë kryesore.
Në rrugën Burrel-Skuraj ka pasur rrëshqitje gurësh dhe inertesh, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Në këtë segment mungon edhe sinjalistika rrugore, ndërsa fenomeni i rrëshqitjeve përsëritet sa herë ka reshje shiu.
Ndërkohë, firma mirëmbajtëse ka nisur punën që në orët e para të mëngjesit për pastrimin dhe hapjen e rrugës.
Moti i keq ka përfshirë edhe qarkun Shkodër, ku në rrugën “Martin Camaj” janë shënuar rënie pemësh, të cilat janë pastruar menjëherë nga punonjësit e Shërbimeve Publike.
Ndërsa në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet me intensitet të lartë kanë shkaktuar rënie inertesh në segmentet rrugore Fushë-Arrëz – Fierzë dhe Fushë-Arrëz – Iballë.
Nga raportimet e deritanishme, në pesë bashkitë e qarkut Shkodër — Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz — nuk janë evidentuar situata të tjera emergjente./ZËRI
