OSBE – ODIHR, Bylykbashi: Raporti më i ashpër ndër vite, zgjedhjet si më 2021 atëherë të kërcënonte polici sot banditët

Për të folur për raportin e OSBE – ODIHR për zgjedhjet e 11 majit ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi.

Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri ai tha se, “raporti i OSBE – ODIHR, është më i ashpër ndër vite””zgjedhjet si më 2021 atëherë të kërcënonte polici sot banditët”, tha deputeti demokrat.

Flavio Qarri: Si e vlerësoni këtë raport?

Oerd Bylykbashi: Ky raport të trishton kur mendon se është 2025 dhe raporti është i këtillë. Një koincidencë  edhe në kohë me raportin e viti 2001. Zgjedhjet u bënë me 24 qershor në atë kohë dhe raporti doli me 11 tetor. Pra pati një arsye atëherë se u zgjat shumë. Me përplasje, me hapje , rinumërime etj. Dhe u konsiderua një nga proceset më të këqija zgjedhore, historikisht në Shqipëri, ndoshta më i keqi.

Këto zgjedhjet e 11 majit, I afrohen, janë rrotë në rrotë me ato zgjedhje. Kanë ndryshuar elemente. Në qoftë se në atë kohë ishte policia që kërcënonte, madje edhe rrihte komisionerët e opozitës në qendrat e votimit, e dokumentuar në atë kohë. Kësaj radhe nuk ishte më policia por ishin grupet kriminale. Është ndryshe, me një polic, është zyrtar shteti, kurse këta të vinin në darkë tek dera e shtëpisë. Është histori tjetër.

Është trishtuese që kjo histori të jetë në 2025. Trishtuese kur Shqipëria është prej kohësh në këtë trajektoren e Integrimit Evropian. Është vënë një datë 2029 dhe kur ti lexon këtë raport, thua po mirë si ka mundësi. Si mund të pretendojmë ne 2029. Tani të gjithë duhet ta pretendojnë se na bëhet mirë. Nuk mundet që PD të thotë që prit se nuk duhet të ndodhë kjo. PS bllokoi para 30 vitesh integrimin. Në vitin 1995, PS ishte kundër Këshillit të Evropës. Pas ishte kundër anëtarësimit në NATO, kundër liberalizimit të vizave. Pra ka bërë veprime, qartazi me bilbila me të gjitha dhe nuk mundet PD që e çoi Shqipërinë deri tek statusi i vendit kandidat, pak muaj pasi lamë ne pushtetin në rotacion me zgjedhje, u mor ai status, që të thotë jo nuk do të ndodhe. Shqipërisë i bëhet vetëm mirë që të ketë më shumë Evropë si proces në vend. Por kur e mendon dhe shikon atë raport, Çfarë lexojmë. Për herë të parë mua më bënte përshtypje në eksperiencën time 24 vjeçare me zgjedhjet. Unë nuk kam parë asnjëherë një raport paraprak aq të ashpër I cili hapte me gjënë më të rëndë që mund të kishte një palë zgjedhje. Shteti – Partia shtet, prishja e kësaj ndarje, fusha e pabarabartë e lojës që sjell pikërisht kjo dhe që sigurisht kjo ndodh duke përdorur burimet dhe pozicionet e avantazhet e pushtetit. Të gjitha këto të ndaluara më standarde.

Dokumenti i Kopenhagenit i 1990 I OSBE vendos një standard të rëndësishëm për ndarjen e partisë nga shteti. Dhe kjo lidhet me barazinë e votës, me barazinë e garës, barazinë mes kandidatëve e të tjera me radhë, nuk mundet askush të fitojë kundër një partie që është shtet. Kjo ishte partia komuniste në të gjithë Evropën. Pra për këtë arsye u fut si koncept. Tani Çfarë më sjell mua kjo që me jep trishtim. Trishtimi duhet të jetë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi 35 vite mbrapa. Pra jemi kthyer në 35 vite mbrapa në standard. Në 2013 nuk do të kishte rotacion politik nëse do të kishim këtë situatë. E pamundur. Nuk fiton askush kundër shtetit. Shteti ka burime, resurse të jashtëzakonshme që i përdor duke përkëdhelur ose duke goditur me dajak. Dhe detaji i jashtëzakonshëm që më bëri përshtypje në tekst dhe në ato shënimet poshtë me detaje rastesh pafund. Bashkitë të përdorura masivisht. Gishti i nxirrte syrin Ramës.