Leonidha Çobo dhe Hongping Xiao
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petrolium”, Hong Ping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, kanë kërkuar në GJKKO ndryshimin e masës dhe informacion për hetimet dy mujore. Çobo dhe CEO kinez të “Bankers” ndodhen në burg nën dyshimin për evasion fiskal.
Më 4 tetor, Prorkuroria e Fierit shpalli moskompetencën për hetimin e çështjes, duke ia kaluar SPAK-ut. Vendimi është marrë për shkak të dyshimeve se në këtë çështje mund të jenë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët hyjnë nën juridiksionin e SPAK për hetim.
Në “Bankers Petroleum” u zbulua një skemë abuzimi, me miliona euro dëm shtetit. Zyrtarët akuzohen për veprat penale ‘fshehje të të ardhurave’, ‘pastrim parash’, ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘moskryerje detyrash nga organet tatimore’. Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. Edhe pse ‘Bankers’ nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë, por ka deklaruar humbje për vite me radhë, duke shmangur tatimet.
Ndaj edhe dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro. Në lidhje me hetimin Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Hong Ping Xiao, ish-drejtori Leonidha Çobo janë lënë në burg. Ndërkohë nga 5 masa “arrest shtepie”, togat e zeza kanë zbutur vendimin vetëm për një prej të dyshuarve duke caktuar “detyrim paaqitje” për shkak të rrethanave familjare, pasi është nënë e një femije 2-vjeç./ZËRI
