Betohen gjyqtarët e rinj! ‘Hatërmetje’ në ceremoni-Kryetari i GJL: Nuk më ftuan, në të ardhmen pasqyroni pjekuri

Sokol Sadushi

TIRANË-42 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin ditën e sotme në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për të marrë detyrën e magjistratëve. Në ceremoninë e betimit kreu i KLGJ, Ilir Rusi ka deklaruar se të jesh magjistratë do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe dhe një mision që kërkon shumë punë. I pranishëm ishte dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i cili deklaroi se betimi i tyre si magjistratë do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Por Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëherësh kryetar i Këshillit Drejtues së Shkollës së Magjistraturës nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Arsyeja nuk ka të bëjë me angazhimet e Sadushit, por nuk ishte i ftuar. Këtë fakt e ka raportuar vetë kryetari i Gjykatës së Lartë me anë të një postimi në rrjetin “LinkedIn” edhe pse ai nënshkruan diplomat që iu dorëzohen magjistratëve të sapoemëruar.
Sadushi ka uruar magjistratët e rinj për fillimin e karrierës së tyre, duke nënvizuar se ndonëse nuk ishte i ftuar, ndiente të njëjtin respekt dhe gëzim për këtë moment solemn. Ai thekson se ngjarje të tilla duhet të pasqyrojnë “pjekuri, bashkërendim dhe respekt ndaj drejtësisë’.
“Të dashur magjistratë të rinj, Në këtë ditë të shënuar për karrierën tuaj dhe për sistemin e drejtësisë, ju uroj suksese, përkushtim dhe ndershmëri në misionin që nisni.
Edhe pse sot nuk kam qenë i ftuar mes jush, ndjej të njëjtin gëzim e respekt për këtë moment solemn që shënon fillimin e një përgjegjësie të madhe ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Uroj që në të ardhmen, ngjarje të tilla të rëndësishme të pasqyrojnë gjithmonë pjekurinë, bashkërendimin dhe respektin që i detyrohemi drejtësisë.
Me respekt,
Sokol SADUSHI”

postimi

Gjyqtarët e rinj janë akomoduar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, të Fierit dhe atë Administrative në Lushnjë, me nga 7 gjyqtarë secila, ndërsa pjesa tjetër në Shkodër, Berat, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Vlorë e Sarandë.