‘Gjinia’ hap debat! PD: Ekzistojnë dy, që në lindje! PS kundër: Jo më vetëm “burrë” dhe “grua”

mbledhja në Komisionin e Shëndetësisë

TIRANË-Opozita dhe mazhoranca duket se nuk e kanë gjetur sërish gjuhën e përbashkët në lidhje me projektligjet e hedhura në diskutim. Konkretisht, Partia Demokratike kërkon të mos lejohet ndryshimi i gjinisë, ndërsa socialistët e konsiderojnë absurd. Sipas PS ligji aktual nuk njeh gjini të ndryshuar, vetëm atë që në lindje femër ose mashkull dhe duhet ndryshuar
“Në Republikën e Shqipërisë ekzistojnë vetëm dy gjini njerëzore, mashkull dhe femër, të cilat janë biologjikisht të pandryshueshme që nga momenti i lindjes”, shkruhet në amendamentin e kërkuar, por në komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale socialistët votuan kundër dhe drafti i firmosur nga 34 deputetë të PD nuk kaloi as në parim.
Kryetari i këtij komisioni, Bardh Spahia kërkoi edhe nga deputetët e mazhorancës që ky projektligj të merret në konsideratë për rëndësinë që sjellë në plotësimin e kuadrit ligjor të brendshëm për të ofruar garanci shtesë në mbrojtjen e familjes, dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Mes socialistëve u hodh propozimi që të mos ketë kufizim ligjor vetëm në “burrë” dhe “grua” pasi përjashton qytetarë që nuk identifikohen me këto kategori, si personat interseks, jo-binarë apo transgjinorë.
“Një shtet që njeh më shumë se dy kategori gjinore është më gjithëpërfshirës, më i drejtë dhe më në përputhje me parimet e barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Shumë vende kanë bërë hapa përpara në këtë drejtim, kanë futur opsionin X ose jo binar në dokumente zyrtare”, u shpreh Enriketa Jaho, deputete e PS.
Deputeti i PD, Tritan Shehu tha se gjinia është një kategori biologjike e përcaktuar shkencërisht dhe nuk duhet të ngatërrohet me orientimin seksual. Duke iu referuar pyetjeve të Shalsit, (përfshi  interseksin) Shehu tha se, “deformimet nga norma”  duhen trajtuar nga shkenca mjekësore, por nuk mund të përmbysin, në interpretimin e tij, kolonat e sotme të shoqërisë.
“Unë jam mjek dhe në lindje themi mashkull apo femër. Ka edhe deformime nga norma absolutisht që ka, shohim fëmijë dy bashkë, ashtu si një fëmijë mund të lindë edhe pa organe gjenitale, këto janë probleme të deformimit nga norma dhe këta duhen trajtuar rehabilituar për një jetë sa më normale, por pa dëmtuar kolonat e shoqërisë njerëzore. Thelbi i shoqërisë njerëzore nuk varet nga raste të veçanta. Interseksi është pak e shumë ajo që thashë më siper. Norma është burrë dhe grua. Nëse në certifikatat tona nuk përcaktohet qartë gjinia në momentin e lindjes, nëse ajo bëhet e ndryshueshme sipas perceptimit personal, atëherë bie themeli i identitetit ligjor. Nuk mund të ketë administratë të besueshme me identitete të paqarta”,-tha Tritan Shehu, 
“Që të flasim për gjëra që nuk ekzistojnë është absurde të flas kështu që zana mund të jetë zani është absurde. Këto kanë shkuar në shkollat shqiptare. Kjo është po e njëjta, hapja e rrugës të pikërisht këtij problemi dhe propozimi që kemi bërë ne, sanksionimi i kësaj çështjeje ndalon këto”, tha Klevis Balliu. 
Në lidhje me gjininë, në projektligjin e ri është përfshirë termi “gjithëpërfshirëse”, duke nënkuptuar se kushdo mund të deklarojë gjininë që dëshiron. Në hyrje të projektligjit në fjalë thuhet se synohet të garantohet, mbrohet dhe promovohet arritja e barazisë gjinore si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë. Projektligji i ri do të diskutohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe me grupet e interesit dhe më pas pritet të miratohet në seancë plenare./ZËRI