Skandal në Fushë Krujë: Produkte bujqësore të skaduara shiten me etiketa të rreme, dështojnë kontrollet

Një tjetër rast që tregon dështimin e sistemit të kontrollit ushqimor në vend është zbuluar ditën e sotme, ku një 35-vjeçar është kapur duke tregtuar produkte bujqësore të skaduara, të cilave u kishte ndryshuar afatin e përdorimit me etiketa të reja. Ngjarja ndodhi në Fushë Krujë, ku u gjet një sasi e konsiderueshme produktesh me afat të shtyrë artificialisht, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë vetëm pas një operacioni të posaçëm të koduar “Expiration”.

Sipas të dhënave, 35-vjeçari dyshohet se kishte shitur për një kohë të gjatë produkte bujqësore për mbrojtjen e bimëve, duke i paraqitur si të vlefshme, ndërsa në fakt ishin jashtë afatit ligjor të përdorimit.

Ky rast ngre sërish pikëpyetje të mëdha mbi mungesën e monitorimit dhe neglizhencën institucionale, që lejon tregtimin e produkteve të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Njoftimi: 

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Expiration”. 

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).   

Shiste produkte bujqësore të skaduara, vihet në pranga 35-vjeçari.  

Në magazinën e këtij shtetasi, në Fushë Krujë, u gjet një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore të cilave ky shtetas iu ka shtyrë afatin e skadencës, duke iu vendosur etiketa të reja.  

 Në zbatim të planit të masave për kontrollet në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore dhe bujqësore të skaduara, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me AKU-në, organizoi dhe finalizoi në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Expiration”. 

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi E. D., 35 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnje.  

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka shitur një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore për mbrojtjen e bimëve, të cilave iu ka shtyrë afatin e skadencës, me 1 vit më shumë se ai i miratuari nga Ministria e Bujqësisë.       

Gjatë kontrollit të kryer në bashkëpunim me punonjësit e AKU-së, në magazinën e këtij shtetasi, në Fushë Krujë, u  konstatua një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore, me afat përdorimi 2 vjet nga viti i prodhimit, të cilave ky shtetas iu kishte vendosur etiketa që përcaktonin afat përdorimi 3 vjet nga data e prodhimit.   

Gjithashtu, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, qindra etiketa me ngjitje, në të cilat ishte ndryshuar afati për përdorimin e produkteve bujqësore.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.