Rama jep 31 mln euro për Albcontrol për të mbuluar gropën e madhe financiare nga gjoba e Beketit

Aventura e qeverisë me Beketin vazhdon të hajë para papushim nga taksat e qytetarëve.

Qeveria shqiptare ka disbursuar 3 miliardë ose rreth 31 milionë euro nga paratë e buxhetit të shtetit, të cilat do të shkojnë si injektim kapitali për Albcontrol.

Paratë, të cilat jepen për të lehtësuar situatën e vështirë financiare të Albcontrol për shkak të bllokimit të llogarive nga biznesmeni italian Beketi, janë në fakt financim i drejtëpërdrejtë i gjobës 130 milionë euro që Shqipëria mori në arbitrazh.

Edhe pse kryeminstri zotohet publikisht se qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për biznesmenin italian, në realitet po ndodh e kundërta dhe paratë po paguhen përmes skemave të maskuara.

Nga dhënia e borxheve shtetërore deri tek transferat direkte kapitale, buxheti po paguan deri në qindarkën e fundit paratë e bllokuara nga Françesko Beketi.

Fillimisht qeveria shqiptare e financoi përmes kredive shtetërore situatën e vështirë të Albcontrol. Këto kredi herë janë dhënë nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe herë nga Korporata Shqiptare e Investimeve. Ndërsa tani, kreditë po shndërrohen në financim direkt buxhetor. Pra paratë po merren nga qytetarët shqiptarë dhe po shkojnë për të mbuluar gropën e madhe financiare të Albcontrol./KAPITALI