Hulumtimet kanë konfirmuar: Njerëzit me skizofreni dëgjojnë zëra

Një ekip shkencëtarësh australianë ka konfirmuar për herë të parë se njerëzit që vuajnë nga skizofrenia dëgjojnë “zëra” në kokën e tyre sepse truri i tyre e keqinterpreton të folurin e brendshëm si të jashtëm. Zbulimi është bërë nga studiuesi dhe psikologu Thomas Whitford nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor, i cili thekson se kjo teori ekzistonte prej më shumë se 50 vitesh, por ishte e vështirë të provohej, pasi të folurit e brendshëm është natyrshëm një proces privat, raporton Sciencealert.

Duke përdorur elektroencefalografinë për të matur valët e trurit, studiuesit analizuan mënyrën se si truri reagon ndaj të folurit të brendshëm tek personat me skizofreni. “Kur flasim, madje edhe vetëm në mendimet tona, pjesa e trurit që përpunon tingujt e jashtëm bëhet më pak aktive, sepse truri parashikon tingullin e zërit të vet”, shpjegon Whitford. “Por tek njerëzit që dëgjojnë zëra, ky parashikim nuk funksionon siç duhet, kështu që truri reagon sikur zëri po vjen nga jashtë.”

Në hulumtim morën pjesë 55 persona me skizofreni që kishin pasur halucinacione dëgjimore kohët e fundit, 44 persona me skizofreni pa halucinacione dhe 43 persona pa histori të sëmundjes. Rezultatet treguan se tek njerëzit e shëndetshëm, të folurit e brendshëm shkakton një ulje të aktivitetit të trurit të ngjashme me atë që ndodh kur flitet me zë, ndërsa tek personat që dëgjojnë zëra kjo ulje mungon – përkundrazi, truri reagon sikur tingulli vjen nga jashtë.

Ky zbulim sugjeron se “zërat” që dëgjojnë pacientët me skizofreni janë në fakt të foluri i tyre i brendshëm që truri e interpreton gabimisht. Sipas autorëve të studimit, kjo njohuri mund të ndihmojë mjekët të identifikojnë më herët njerëzit në rrezik për zhvillimin e psikozës dhe të ndërhyjnë në kohë me trajtime parandaluese.

Studimi u botua në revistën shkencore Schizophrenia Bulletin.