Çokollata Dubai po bëhet gjithnjë e më popullore

Çokollata Dubai gjeneroi shitje prej 22 milionë dollarësh vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 dhe ndihmoi që të ardhurat e “Dubai Duty Free” të arrijnë një rekord të ri, njoftoi kompania.

Çokollata Dubai, e prodhuar për herë të parë në Emiratet e Bashkuara Arabe, është bërë virale në TikTok, duke nxitur një entuziazëm global dhe një rritje të kërkesës, sidomos për versionin e saj me mbushje knafehu me fëstëk, dhe ka frymëzuar versione imituese në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.

Versione të reja të çokollatës Dubai kanë filluar të shfaqen në mbarë SHBA-në, me disa pastiçeri që krijojnë variantet e tyre të shufrave dhe shitës të ndryshëm që ofrojnë ëmbëlsirat. Disa amerikanë gjithashtu kanë filluar të porosisin çokollatat direkt nga Dubai.

“Dubai Duty Free” raportoi se kishte arritur shitje prej 565 milionë dollarësh gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, me muajin shkurt që theu një rekord të ri mujor, sipas një njoftimi për shtyp.

Shitjet e produkteve të ëmbla (konfeksioneve) u rritën falë çokollatës virale Dubai, e cila gjeneroi 22 milionë dollarë në shitje, tha kompania. Kjo përfaqëson mbi 1.2 milionë çokollata.

Çokollata, fillimisht e quajtur “Can’t Get Knafeh Of It”, u krijua në vitin 2021 nga FIX Dessert Chocolatier në një qytet të Emirateve. Që nga debutimi, çokollata fitoi popullaritet të madh ndërkombëtar, veçanërisht pasi u bë viral në TikTok dhe në rrjetet e tjera sociale.

Çokollata është e mbushur me knafeh, një ëmbëlsirë tradicionale e rajonit e përbërë nga brumë i hollë i grimcuar, pastë fëstëku dhe tahini. E frymëzuar nga kjo recetë origjinale, gjigantët e çokollatës dhe pastiçeritë amerikane krijuan versionet e tyre, të cilat shiten si në dyqane ashtu edhe online në vende të ndryshme.

Në faqen e FIX Dessert Chocolatier, një kuti çokollatash kushton pak më shumë se 100 dollarë.

Ramesh Cidambi, Drejtor Menaxhues i “Dubai Duty Free”, deklaroi: “Suksesi i jashtëzakonshëm i çokollatës ‘Dubai’ ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e kategorisë së ëmbëlsirave, me marka të veçanta si Fix Chocolate, Locali, I Love Dubai, Bateel dhe Al Nassma që së bashku gjeneruan shitje prej 80.4 milionë dirhamësh (22 milionë dollarë). Kjo shifër përfaqëson mbi 1.2 milionë çokollata të shitura në tremujorin e parë të vitit 2025.”

FIX Dessert Chocolatier, në Instagram javën e kaluar, shkroi: “Nëse nuk e kapët, popup-i ynë në Dubai Duty Free po përfundon! Çdo ditë ka qenë e jashtëzakonshme: radhë të gjata, udhëtarë të entuziazmuar dhe shumë dashuri për çokollatën tonë. Ka qenë e mrekullueshme të shohësh njerëz nga e gjithë bota që ndalen për të provuar një copë!”

Trendi i çokollatës Dubai vazhdon të përhapet ndërkombëtarisht, ndërsa ruan profilin e tij të lartë, me gjasë që shumë tregje ndërkombëtare të prezantojnë versionet e tyre. /Newsweek – Syri.net