Tre vite asnjë lajm për fatin e Ervis Martinaj, babai i tij kërkon që i biri të shpallet i zhdukur

Ervis Martinaj

TIRANË- Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, kërkon zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit. Përmes një shkrese drejtuar Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, Martinaj ka kërkuar shpalljen i zhdukur të Ervis Martinajt.
“Shtetasi Mustafa Martinaj kërkon  pranë Gjykatës  së  Shkallës  së  Parë  të  Juridiksionit  të Përgjithshëm Lezhë   shpalljen të zhdukur të shtetasit Ervis Martinaj i datëlindjes  6.10.1982, lindur  në  Burrel  dhe  banues  në  Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin. KËRKUES Mustafa Martinaj”, thuhet në shkresën e Mustafa Martinaj.

shkresa e mustafa martinaj

Për fatin e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, nuk dihet asgjë prej rreth 3 vitesh. Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite. 
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Po ashtu ai ka qenë i përfshirë edhe në dosjen Metamorfoza, arrestimet e të cilës u kryen pas zhdukjes së tij. Edhe pse kanë kaluar afro dy vite nga zhdukja dhe ka kaluar çdo afat i dhënë nga kryeministri Edi Rama për zbardhjen e ngjarjes, deri më tani Policia nuk ka asnjë version të besueshëm dhe përfundimtar. Po ashtu, edhe drejtësia po e heton për 2 çështje të ndryshme. Prokuroria në Kurbin e cilëson si person të zhdukur për shkak të dënoncimit që kanë bërë familjarët e tij, ndërsa SPAK e ka të shpallur në kërkim për përfshirje në disa aktivitete kriminale./ZËRI