“Qeni po luante me kafkën e tij”, detaje tronditëse nga vrasja e Klevis Lleshit: Si u gjetën kockat dhe veshja e të riut në ullishte

klevis lleshi

TIRANË- Detaje tronditëse janë zbuluar nga dosja e vrasjes së Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur 5 vitë më parë, më 5 gusht 2020. “Në Shënjestër” publikoi të dhëna nga dosja hetimore që tregojnë se si u gjet trupi i Klevis Llesjhit, disa muaj më vonë nga vrasja, më 8 dhjetor 2020.
Sipas dosjes, trupi i 22-vjeçarit është gjetur në një sipërfaqe ullishte në fshatin Shpërdhet të Kurbinit nga efektivët e policisë Kurbin të cilët u lajmëruan nga shtetasi Edmond Kolaveri, që është pronari i ullishtes. Ky i fundit ka qenë ai i cili ka njoftuar policinë, pasi qeni i tij kishte sjellë kafkën dhe disa kocka, ndërsa ka rrëfyer se nuk kishte parë e dëgjuar asgjë të pazakontë gjatë kohës që punonte aty.
Më pas, grupi hetimor gjeti në vendngjarje një kockë si ajo e gjymtyrëve të sipërme dhe tre kocka të tjera të vogla. Po kështu 250 metra nga ana jugore e vendit ku u gjet kafka, brenda rrethimit të ullishtes, mbi përrua, u fiksuan të shpërndara në një sipërfaqe rreth 30 metra, mbetje kockash të dekompozuara si ato të qenieve humane. Si dhe pjesa e një nofulle të poshtme si ato të kafkave të qenieve humane, në të cilën janë vënë re prania e dhëmbëve fundorë të pjekurisë.
Ndërkohë, 3 metra mbi rrethimin e ullishtes u fiksuan një palë pantallona të shkurtra si ato sportive me mbishkrimin ‘Nike’ si edhe një fëshfëshe e padëmtuar. Ndërsa në distancën 12 metra u fiksuan një palë mbathje. Trupi i dekompozuar ndodhej brenda rethimit me rrjetë të ullishtes, në pikën më të ulët të pritës dhe kodrës.

Vetëm pas 5 vitesh, SPAK ka zbardhur autorët e këtij krimi për të cilin autori u pagua me shumën 50 mijë euro. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se vrasja është porositur nga Aurel Hoxha, i cili dyshohet se ka paguar 50 mijë euro për ekzekutimin e Lleshit. Ndërkohë, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka konfirmuar vendimin e dhënë më herët nga GJKKO për masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Sabah Nuzit, i cili u arrestua në shtator të këtij viti me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për vrasjen e 22-vjeçarit Klevis Lleshi.

Klevis Lleshi nga Burreli u zhduk pa lënë gjurmë në gusht të vitit 2020, u vra dhe gropos në fshatin Shpërdhet të Kurbinit. Mbetjet kockore dolën në sipërfaqe nga fenomeni eroziv në këtë zonë që solli rrëshqitjen e tokës në një sipërfaqe të konsiderueshme. Trupi i viktimës u zbulua si rezultat i erozionit të tokës nga banorët e zonës ku pas testit të ADN-së, ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi./ZËRI