“Një gjigand i vjetër dhe i lodhur”/ Rama në Londër: Europa në krizë, “e këshillon” të zgjohet

edi rama- “Future Resilience Forum 2025

BRITANI E MADHE- Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale, “Future Resilience Forum 2025”, ku komentoi gjendjen në cilën ndodhet Europa tani. Sipas Ramës, Europa ndodhet në një moment kritik. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Europa duhet të zgjohet dhe të kuptojë që bota ka ndryshuar, duke e krahasuar me Kinën si një prej superfuqive aktuale e cila ka një qasje ndryshe. Sipas Ramës, Kina ka një strategji të bazuar në biznes dhe një plan afatgjatë, ndryshe nga kontinenti ynë.
“Të gjithë e shohin Europën si një gjigand të vjetër të lodhur që nuk është më në gjendje të zgjohet dhe të kuptoj që bota ka ndryshuar. Në më pak se 10 vjet, Kina do të ketë dyfishin e PBB të Europës. Europa ndodhet në moment kritik sepse i duhet të ndajë mendjen për të përfunduar projektin e etërve, apo të ecë në një drejtim më katastrofik si shembulli i Brexit. Kina nuk është e interesuar për universalizimin e mënyrës së saj të jetesës, ata besojnë se i përkasin një civilizimi të epërm që nuk ja vlen ta përhapësh. Ndërkohë që kurdo që mundet Kina kërkon të bëj biznes. Ky është tipar i fuqive të mëdha që nuk ka ngjasi me asgjë të ngjashme që jemi mësuar të jetojmë në jetën tonë. Kina ka këtë qasje ndryshe, nga ana tjetër ka diçka që edhe pse Kina flet për planin 5 vjeçar të rradhës pra 25 vjet më pas, Franca nuk ka plan as për javën e ardhshme. Është një dallim shumë i madh që pasqyrohet në jetën e përditshme.”, tha Rama.