Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, mbajti sot një fjalim përpara anëtarëve të Komisionit të Venecias me një analizë të detajuar mbi dështimet e Reformës në Drejtësi dhe sistemit zgjedhor në Shqipëri.Bylykbashi theksoi se institucionet shqiptare nuk kanë arritur pjekurinë e duhur demokratike dhe shpesh varen nga opinionet e Komisionit të Venecias për vendime të rëndësishme, veçanërisht Gjykata Kushtetuese. Ai kritikoi ashpër deformimin e procesit zgjedhor, duke e krahasuar me një “sëmundje autoimune” për demokracinë, dhe theksoi se zgjedhjet e 2025 janë pothuajse identike me ato problematike të vitit 2001.Bylykbashi tha se, Shqipëria ndodhet përballë një sistemi zgjedhor “toksik”, të cilin e konsideroi si pengesë madhore për demokracinë dhe pluralizmin. Ai u shpreh se ky sistem duhet ndryshuar urgjentisht përmes një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse.Bylykbashi vuri në dukje shqetësime të thella mbi përdorimin politik të burimeve shtetërore, shitblerjen e votës, mungesën e ndëshkueshmërisë dhe kapjen politike të drejtësisë. Ai theksoi se zgjedhjet e fundit treguan qartë bashkimin e partisë me shtetin dhe dështimin e institucioneve për të garantuar një proces të drejtë.Ndër të tjera, ai përmendi edhe çështjen e votës së diasporës dhe mungesën e besimit tek administrata zgjedhore. Bylykbashi përfundoi duke ngritur pyetjen nëse do të ketë vullnet politik për një reformë të vërtetë, duke paralajmëruar se pa një proces serioz dhe gjithëpërfshirës, edhe reforma e radhës rrezikon të dështojë.
Bylykbashi para Komisionit të Venecias: Reforma në Drejtësi ka dështuar, sistemi zgjedhor është toksik
