Evropa ka ruajtur reputacionin e saj si një kontinent i sigurt për udhëtime, sipas raportit më të ri të Berkshire Hathaway Travel Protection, por fituesja e vitit të kaluar, Islanda, ka humbur fronin. Raporti zbulon se vendi më i sigurt në botë për udhëtarët në vitin 2026 është Holanda, e cila ka fituar pikët më të larta në Indeksin Global të Paqes dhe në vlerësimet e Numbeo-s.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Global Peace Index, Numbeo dhe GeoSure Global, bashkuar me një anketë të udhëtarëve amerikanë, Holanda u vlerësua për sigurinë publike, shërbimet shëndetësore dhe mbrojtjen që ofron për femrat, komunitetin LGBTQIA+ dhe njerëzit me ngjyrë. Ekspertët megjithatë paralajmërojnë vizitorët të kenë kujdes nga korsitë e biçikletave, të cilat janë të shumta në qytetet holandeze dhe mund të përbëjnë rrezik për këmbësorët.
Në listën e këtij viti, Australia renditet e dyta, e ndjekur nga Austria, Islanda, Kanadaja dhe Zelanda e Re. Nga dhjetë vendet më të sigurta në botë, gjysma ndodhen në Evropë, duke konfirmuar pozicionin e kontinentit si destinacioni më i besueshëm për turistët.
Islanda, e cila mbajti vendin e parë vitin e kaluar, ka rënë në vendin e katërt pas shpërthimeve të vazhdueshme vullkanike në Gadishullin Reykjanes, të cilat kanë ndikuar në infrastrukturën dhe udhëtimet në vend. Megjithatë, ajo ka vazhduar të presë miliona turistë gjatë vitit 2025, pavarësisht sfidave natyrore.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka rënë nga vendi i 13-të në të 14-tin, për shkak të rritjes së krimeve të vogla si vjedhjet, megjithëse vazhdon të konsiderohet një destinacion i sigurt krahasuar me shumë qytete amerikane. Ekspertët këshillojnë udhëtarët të shmangin rrjetet publike Wi-Fi dhe faqet e pasigurta për të evituar krimet kibernetike.
Raporti thekson se renditjet e sigurisë janë dinamike dhe mund të ndryshojnë me shpejtësi, pasi faktorët mjedisorë, natyrorë dhe politikë ndikojnë drejtpërdrejt në to. “Pavarësisht se sa i sigurt konsiderohet një vend, turistët duhet të jenë gjithmonë të kujdesshëm dhe të informuar për çdo rrezik të mundshëm,” theksohet në raport.
Renditja e 10 vendeve më të sigurta për udhëtarët në 2026:
1. Holanda
2. Australi
3. Austri
4. Islandë
5. Kanada
6. Zelanda e Re
7. Emiratet e Bashkuara Arabe
8. Zvicër
9. Japoni
10. Irlandë
