E ftuar në edicionin e mesditës në Syri TV ka qenë nga Roma gazetarja Alba Kepi.
Në bisedë me moderatorin Edvin Parruca, ajo ka folur për situatën e kriminalitetit shqiptar në Itali dhe lidhjen e tij me politikën. Ajo ka dhënë edhe detaje në lidhje me atentatin që iu bë pak ditë më parë me lëndë plasëse gazetarit italian Ranucci. Ajo ka komentuar edhe alarmin e autoriteteve italiane për mafien shqiptare, e cila po forcohet gjithnjë e më shumë.
Alba Kepi: Mendoj se ky alarm që ka gjetur hapësirë në të gjitha mediat italiane, agjencitë e informacionit, është sinjalizuar padyshim edhe falë burimeve nga prokuroria e antimafies, jo vetëm në Romë, por në të gjitha rajonet ku mafia shqiptare është e pranishme.
Të gjitha këto tregojnë se mafia shqiptare ka arritur një nivel të lartë shqetësues që e detyron, apo e sjell këtë alarm, jo vetëm nga autoritetet e drejtësisë, por edhe nga mediat.
Pra, ajo çka ka ndodhur me atentatin e datës 16 tetor ndaj Sigfrido Ranuccit tregoi pikërisht nivelin më të lartë të këtij alarmi.
Qysh herët, qysh kur bëmë raportimin e parë dhe në kontaktet që unë kam pasur në rrugë konfidenciale me të gjithë gazetarët e investigimit, të cilët e njohin mjaft mirë zonën, fushën, territorin ku u krye ngjarja, pista e mafies shqiptare, e krimit të organizuar shqiptar, ishte një nga pistat më të mundshme.
Edvin Parruca: Sepse ajo është në atë territor, sepse edhe kjo është e çuditshme që të thuash që mafia shqiptare kontrollon një territor atje.
Alba Kepi: Kontrollon një nga territoret më të vështira në bregdetin roman. Kontrollon jo vetëm tregjet e shitjes së drogës, por kontrollon edhe atë që ti e prezantove mjaft mirë në hyrje: kontrollon ekonominë. Atë ekonominë e errët. Sanksionon, vë gjoba ndaj sipërmarrësve të ndershëm dhe kërkon që në një zonë të caktuar, në një territor të caktuar, të hapen aktivitete të caktuara që menaxhohen nga këta përfaqësues të klaneve mafioze, të klaneve të caktuara, qoftë romane, shqiptare etj.
Pra, është një lloj mënyre e vepruari që përtej narkotrafikut, përdor ekonominë për të ricikluar diçka që ka ardhur nga ky narkotrafik. Pra, edhe alarmi i autoriteteve italiane është te kjo: narkotrafiku, konteinerët me tonelata kokaine drejt Evropës. Por këto para që fitohen nga ky biznes droge, ku shkojnë? Padyshim shkojnë për të ndotur dhe për të bërë pis ekonominë e ligjshme, ekonominë evropiane, ekonominë italiane, ekonominë shqiptare.
Dhe prandaj mendoj që ky alarm, me këtë që ndodhi Ranuccit, ka arritur në majën më të lartë, për t’i informuar botës se çfarë po ndodh me rrezikshmërinë e krimit të organizuar shqiptar, mafies shqiptare.
Pista e mafies shqiptare është një nga pistat e 5 provave më të mundshme që antimafia e Romës ka marrë në ngarkim. Është regjistruar në raportin e saj, pas marrjes në pyetje të gazetarit Ranucci menjëherë pasi ndodhi ngjarja. Nëse e kujtojmë, gjatë gjithë ditës pas atentatit, gazetari i sulmuar ka qëndruar gjatë gjithë ditës në qendrën informative të antimafies së Romës. Aty ka kaluar në analizë gjithë puna e tij gjatë sezonit të shkuar që u mbyll në verë të 2025-ës, dhe aty pista shqiptare, narkotrafiku shqiptar, ishte një nga më të mundshmet që u mor në konsideratë prej 5 provave më të mundshme.
Dhe sot “Repubblica” ka sjellë një emër jo pak të njohur për ne. Me redaksinë e Syri TV ne kemi përcjellë ekskluzivisht intervistën e gazetarit Nello Trocchia dhe librin e tij mbi mafien shqiptare, dhe ai në këtë intervistë, në librin e tij, ka përmendur emrin e Artur Shehut. Pra, është një figurë i cili, sipas tij – na e thotë vetë në intervistë – është njeri i cili jeton në Majami, i cili nga bota e narkotrafikut është bërë biznesmen, dhe sipas gazetarit, ai ka një perandori të tërë turistike në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha këto fakte i referohet sot edhe “Repubblica”.
Pasi dy dosjet e nxehta dhe të forta të sezonit të kaluar kanë qenë mbi narkotrafikun shqiptar, emri i Artur Shehut dhe lidhjet e tij. Ndërmjetës i Engjëll Agaçit, sekretari i Përgjithshëm i qeverisë Rama. Fakti i përmendjes edhe të vëllait të kryeministrit dhe i emrave të tjerë të lidhur me këtë qeveri që merren me narkotrafik. Por edhe gjenerali Lisi, i cili merr një pronë dhuratë nga Shehu. Të gjitha këto sjellin padyshim një pistë të mundshme që antimafia po heton. Pa harruar atë që ndodhi dje me arrestimin në Dubai. Dje u arrestua në Dubai Artur Sinamati, që është një tjetër kokë e mafies shqiptare në Romë, i cili konsiderohet si porositësi i një prej atentateve më të tmerrshme në Itali. Pas arrestimit të tij, mendoj se antimafia italiane po lëviz me shpejtësi, me prova dhe në mënyrë operative për t’u dhënë një goditje krerëve të mafies shqiptare…
