VD-Kreu i PSD-së, Tom Doshi paraqitet në SPAK: Çështje që s’ka lidhje me mua, por siç ka thënë Erioni…

Tom Doshi

TIRANË- Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Tom Doshi, është paraqitur pasditen e kësaj të martë në ambintet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht arsyeja, por kjo është hera e dytë që Doshi merret në pyetje nga ky institucion. 
Siç duket edhe në videon e mëposhtme, ai shihet duke folur në telefon dhe shfaqet i buzëqeshur para gazetarëve. Pasi qendroi për rreth 50 minuta në ambientet e SPAK, në një prononcim të shkurtër për mediat, Doshi u shpreh me ironi duke thënë se ishte thirrur për një çështje që nuk kishte lidhje me të. 

“U pyeta për një çështje që nuk kishte lidhje me mua, ashtu siç ka thënë Erioni (Veliaj): kolegët të thërrasin edhe për çështje që nuk kanë lidhje me ty”,- tha Doshi.

Më 24 shkurt të këtij viti, Tom Doshi u paraqit për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme, ku u mor në pyetje për rreth 90 minuta. Pas daljes, ai u zbuloi për mediat se ishte pyetur për  zgjedhjet në Rrogozhinë në 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK./ZËRI