Apeli i Posaçëm lë në burg Sabah Nuzin, autor për vrasjen e Klevis Lleshit

foto ilustrim: klevis lleshi (viktime)-spak

TIRANË- Gjykata e Apelit të Posaçëm ka konfirmuar vendimin e dhënë më herët nga GJKKO për masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Sabah Nuzit, i cili u arrestua në shtator të këtij viti me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për vrasjen e 22-vjeçarit Klevis Lleshi.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se vrasja është porositur nga Aurel Hoxha, i cili dyshohet se ka paguar 50 mijë euro për ekzekutimin e Lleshit. Si rezultat i operacionit hetimor, përveç Nuzit janë vënë në pranga edhe Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, ky i fundit i arrestuar në Itali, që dyshohet se kanë pasur rol ndihmës dhe ndërmjetës në organizimin e krimit.

Sabah Nuzi, 31 vjeç, nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një të kaluar të ngarkuar penale. Në vitin 2020 u arrestua nga policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Ndërsa në vitin 2012 është ndaluar për plagosjen me armë zjarri të tre personave.

Çështja vijon të hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa Aurel Hoxha, porositësi i dyshuar i vrasjes, është ende në kërkim./ZËRI