Komisionerja Strakosha nën akuzë, Kalaja: Ajo harroi përgjegjësinë morale dhe nuk dha përgjigje për skandalin e patronazhimit

E ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri TV, ka qenë avokatja Adriana Kalaja.

Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri, ajo ka komentuar deklaratat e një dite më parë të Komisioneres së Shërbimit Civil, Strakosha.

Adriana Kalaja: Në fakt, në këndvështrimin tim, jo vetëm në aspektin moral që në ndërgjegjen e kësaj zonje duhet të prevalonte interesi publik. Dhe kjo, në çfarëdo lloj rrethane, duhej të jepte dorëheqjen nga një funksion kaq i rëndësishëm. Kjo gjë vlen edhe për ata që e riemëruan dhe ky është Edi Rama, se nuk ka njeri tjetër përveç atij. Dhe mbi të gjitha një person — po e marr pastaj në aspektin pak më të ngushtë — një person, një individ, një nënë, kur nuk mbikëqyr dot fëmijën e saj, nuk mund të mbikëqyrë gjithë shërbimin civil.

Unë nuk them që ajo është fajtore. Nuk mban përgjegjësi për veprimet e të birit. Po them në aspektin moral. Është mungesë totale morale. Sepse të kesh fëmijën në kërkim për 2.4 miliardë euro, është një e treta e buxhetit të shtetit. Duhet të flasim me fakte dhe me prova dhe të japë ato përgjigje fyese, tallëse, të papërgjegjshme. Çfarë tha? Ja, unë po marr vetëm një moment, se pastaj do t’i rikthehemi prapë çështjes së Amant Josifit. Tha në një moment që patronazhistët janë një problem jashtëligjor dhe ne merremi vetëm me probleme ligjore.

E para, një herë, nuk e di a ndjek lajmet kjo zonja, sepse patronazhimin e ka shpallur si kauzë të vetën vetë Edi Rama, në thirrje publike, në mënyrën se si funksionon procesi zgjedhor dhe në mënyrën se si nga maja e pushtetit, në formë kapilare deri tek pjesa fundore e administratës publike, është në shërbim, në formë patronazhimi të zgjedhjeve. Ndërkohë, ne këtë i kërkuam. Pra, kush është roli yt mbikëqyrës, nëpërmjet deputetëve tanë, në këtë skemë patronazhimi, për sa kohë që janë po këta njerëz të shërbimit civil që bëjnë edhe patronazhimin. E bëjnë mbi të gjitha me paratë publike, e bëjnë me strukturat publike dhe e bëjnë në orar të punës. Pra, kjo ishte thelbësore për ta parë.
Ndërkohë edhe përgjigja për dorëheqjet në bashkitë më kryesore të vendit, ishte po kështu fyese dhe tallëse, sepse tha: “Dorëheqja është.” Po ne e pamë të gjithë që dorëheqjet filluan të nesërmen e deklaratës që bëri i madhërishmi i Surrelit.

Kështu që ne nuk mund të bëjmë barazinë midis asaj që thotë ligji, sepse ne në ligj vërtet i kemi të shkruara mirë e bukur, por problemi është që ti, si kryetare, ose si komisionere e mbikëqyrjes së shërbimit civil, çfarë hapash ke evidentuar? Sepse nuk është puna jote vetëm problemi “u shkarkua dikush nga puna” dhe “si do ta zgjidhim”.
E patë pastaj edhe në raport me atë çështjen tjetër në lidhje me KLP, KLGJ dhe ILD. Tha se ne vetëm i menaxhojmë. Jo, nuk është detyra e tyre t’i menaxhojnë. Është detyrë e tyre t’i kontrollojnë se si sillen ato në raport me shërbimin civil, sepse këtë detyrë ka. Nëse një komisioner thotë se kjo nuk është e imja, atëherë cila është detyra e një komisionereje të Shërbimit Civil?