Ilirjan Celibashi
TIRANË-Po mbahet në Tiranë dita e dytë e Konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progress: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias. Diskutimet fokusohen në tre tema kyçe: reforma në drejtësi dhe vettingu, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi renditi çështjet kyçe që sipas tij duhet të adresohen urgjentisht në reformën e ardhshme zgjedhore, duke përfshirë votimin për personat me pamundësi, riorganizimin e komisioneve dhe rregullat për referendumet.
Ilirjan Celibashi: Për të nxitur debatin, po bëj një listë të atyre çështjeve që ne mendojmë se duhet të adresohen në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore. Duke filluar me organizimin e komisioneve të palëve të treta. Mendoj se vetëm përbërja politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin e procesit zgjedhor, në mirëadministrimin e tij, në transparencë dhe në elementë të tjerë që duhet t’i gëzojë një proces i drejtë, i barabartë dhe i ndershëm.Nuk jam dakord me propozimin e maxhorancës, ku anëtarët e komisionit të jenë të gjithë nëpunës të shërbimit civil. Mendoj se nuk është koha që partitë politike të përjashtohen plotësisht, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, por dytësor. Mendoj se ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor nuk ka më arsye pse të jetë instanca që merret me hetimet zgjedhore; mund të jetë Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë. Organizimi dhe funksionimi i KQZ-së, duke qenë në konflikt të hapur interesi, edhe pse s’kam asnjë të tillë brenda vetes, do doja që partitë politike të vendosin për këtë.
Në këtë takim edhe nënkryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e një reforme të mirëfilltë që adreson financimin e partive politike në përputhje me standardet ndërkombëtare.
