Në çfarë moshe duhet t’u jepni fëmijëve tuaj kikirikë? Ky udhëzues ndihmoi 60,000 fëmijë të shmangnin alergjitë

Një studim i ri ka zbuluar se ndryshimi në udhëzimet mjekësore për futjen e alergjenëve ushqimorë tek foshnjat ka dhënë rezultate të prekshme. Rreth 60 mijë fëmijë amerikanë kanë shmangur zhvillimin e alergjive ndaj kikirikëve që prej vitit 2015, kur u miratuan udhëzime të reja që rekomandonin futjen e produkteve me kikirikë që në moshën katër muajshe.

Sipas studimit të botuar në revistën “Pediatrics”, alergjitë ndaj kikirikëve tek fëmijët deri në moshën tre vjeç kanë rënë me më shumë se 27 për qind pas miratimit të udhëzimeve fillestare dhe me mbi 40 për qind pas zgjerimit të tyre në vitin 2017. “Ka më pak fëmijë me alergji ushqimore sot sesa do të kishte nëse nuk do ta kishim zbatuar këtë përpjekje të shëndetit publik”, deklaroi Dr. David Hill, alergolog në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias.

Udhëzimet amerikane janë në përputhje me ato evropiane, pasi që nga viti 2021 Akademia Evropiane e Alergjisë dhe Imunologjisë Klinike ka rekomanduar futjen e hershme të kikirikëve dhe alergjenëve të tjerë ndërmjet moshës katër dhe gjashtë muajsh. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë ndjekur të njëjtin shembull.

Për vite me radhë, prindërit këshilloheshin të shmangnin produktet me kikirikë për fëmijët deri në moshën tre vjeç, por studimi historik “LEAP” i publikuar në 2015 nga Gideon Lack në King’s College London tregoi se ushqyerja e hershme me kikirikë mund të ulte rrezikun e alergjisë me mbi 80 për qind.

Megjithëse zbatimi i këtyre udhëzimeve ka qenë i ngadalshëm për shkak të pasigurisë rreth mënyrës së futjes së kikirikëve në dietën e foshnjave, ekspertët theksojnë se ekspozimi i hershëm është i sigurt dhe efektiv. Dr. Hill këshillon prindërit të konsultohen me pediatrin dhe të nisin gradualisht me sasi të vogla, si pak gjalpë kikiriku apo kos me bazë soje.

Sipas studiuesve, kjo praktikë mund të reduktojë në mënyrë të qëndrueshme përhapjen e alergjive ushqimore në brezat e ardhshëm.