Presidenti amerikan, Donald Trump këtë të hënë është shprehur se Kina nuk do të pushtojë Tajvanin, ndërsa shprehu besim në marrëdhënien e tij me homologun e tij kinez, Xi Jinping me të cilin do të takohet këtë muaj.
Trump u pyet në lidhje me një vlerësim të mëparshëm të Pentagonit se Xi mund të përpiqet të pushtojë Tajvanin në gjashtë vitet e ardhshme.
“Mendoj se do të jemi mirë me Kinën. Kina nuk dëshiron ta bëjë këtë”, u tha Trump gazetarëve ndërsa takohej me kryeministrin australian, Anthony Albanese.
Duke folur për planet e Xi-së për Tajvanin , Trump tha se nuk e sheh si veprim që të ndodhë.
“Mendoj se do të shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin për sa i përket Tajvanit dhe të tjerëve”, tha ai.
Trump do të zhvillojë takimin e tij të parë me Xi gjatë mandatit të tij të dytë kur udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha në botë vizitojnë Korenë e Jugut këtë muaj për një samit Azi-Paqësor.
Trump tha se përparësia e tij ishte arritja e një marrëveshjeje tregtare të drejtë me Kinën. Ai refuzoi të përgjigjej nëse do të sakrifikonte mbështetjen e SHBA-së për Tajvanin si pjesë e një marrëveshjeje me Xi.
“Dua të jem i mirë me Kinën. E dua marrëdhënien time me Presidentin Xi. Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer”, tha Trump.
